Merita Toçila, një sfilatë me sirena gjysmënudo
ALMA MILE
Ajo nuk është Penelopa që end natën pëlhura e shthur ditën. Ajo është vetë Itaka, pikënisja dhe pikëmbërritja. Të tjerat, gjysmënudo apo me veshje transparente, janë sirenat, tundimet e përditshmërisë. “Itaka grua” titullohet shfaqja më e re që ndërthur stilimin e veshjeve, modën, me letërsinë, poetikën dhe pikturën. Një tjetër performancë, që stilistja Merita Toçila propozon për publikun shqiptar e të huaj sot në orën 19:30 në Flagship Center në Durrës. Ashtu si edhe herët e tjera, kur i është referuar një subjekti të veçantë, siç është miti i Evës dhe Adamit, apo figura e Nënë Terezës, kësaj here thërrasim për ndihmë mitin e lashtë grek të Odisesë. Për të simbolizuar Itakën, Toçila ka përzgjedhur si të ftuar speciale Jonidën, mbesën e ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, vajzën e Rubena Moisiut. Jonida është duke kaluar një moment të rëndësishëm dhe shumë të bukur në jetën e saj. Pret të bëhet nënë dhe në këtë mënyrë ajo e simbolizon më së miri tokën që lind, atdheun që pret... Performanca nuk mund të kuptohet pa Odisenë në petkat e të cilit do të jetë modeli 28-vjeçar nga Prishtina, Edi Abdullau. Por nuk mund të kuptohet as pa sirenat, të cilat stilistja ka menduar t’i veshë në mënyrë transparente, me veshje të punuar me grep, të cilat lënë të duken të gjitha hiret e vajzave që i interpretojnë. “Itaka grua” një lirikë poetike nga Kolec Traboini, ishte fillesa e gjithë këtij realizimi. Duke qenë në fillim të sezonit të ri veror, kur të gjithë emigrantët shqiptarë, por edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë apo diasporës kanë si pikë referimi Shqipërinë, kthimin për pushime, çmalljen me të afërmit dhe vendin e tyre dhe miti i Odisesë, i cili përpiqet të arrijë Itakën, i përshtatet realitetit shqiptar. Ëndrra, tundime, luftëra, këngë sirenash, peripeci... Por në konceptin e Toçilës, atdheu mund të jetë dhe një copë gur, ashtu siç mund të jetë familja, nëna, fëmija e gruaja. Pikërisht momenti i kthimit të Odiseut në Itakë dhe përballja me tundimet e sirenave, të cilat duan ta joshin për të mos e lënë të shkojë pranë gruas së tij dhe vendit të tij është edhe momenti kyç, mbi të cilin bazohet performanca e Toçilës. Sipas stilistes ka vetëm një Odise dhe Itakë... të tjerat (modelet) janë Circet, sirenat, por të kohës së sotme, natyrisht. “Do ekzistojë transparenca për të evidentuar linjat dhe formën e një sirene ëndërrimore, ashtu siç ne e kemi vërejtur shpeshherë nga artistët e kohëve të ndryshme, por çdo artist sjell një model me mjetet e veta shprehëse, krejt të pavarur nga të mëparshmit. Dhe unë kam sjellë sirena që janë ai modelim që unë kam në mendje për të qenë në koherencë me kohën së cilës i përkas”, thotë Merita Toçila, ndërsa lë të kuptohet se edhe kjo sfilatë nuk do të jetë më pak provokuese se performancat e tjera të saj. Kështu prezantohet koleksioni i ri pranverë-verë, ku mbizotëron qëndisja dhe përdorimi i aksesorëve të shumtë në pëlhura, me ngjyra të forta vere për të mos iu larguar shkëlqimit të sirenave dhe funksionit të tyre. Përveç këtyre, disa prej veshjeve janë realizuar duke përdorur një teknikë krejtësisht individuale, duke realizuar një pëlhurë unike me konfiguracione të ndryshme, gati si një realizim në telajo...
Sa i përket grupit realizues, mund të thuhet se tashmë regjisori Erjon Beci ka dhënë prova me sfilatën e mëparshme po të stilistes Toçila, tetorin e kaluar në hotel “Sheraton”, të titulluar “Nënë Tereza – shenja shenjtërie”, ndërsa kujtojmë se një bujë po kaq të madhe bëri dhe sfilata “Adami dhe Eva”, gjatë së cilës stilistja Toçila guxoi për herë të parë të thyente tabutë shqiptare dhe të nxirrte vajza nudo në një sfilatë mode para publikut dhe kamerave. Skenografia i është besuar piktorit të njohur Zaim Elezi, ndërsa lirika siç ju thamë në fillim e Kolec Traboinit për të kaluar te dy elementë të tjerë të rëndësishëm siç janë zëri, (Vasjan Lami) dhe formulimi muzikor nga Dritan Lumshi.
Nudot e Toçilës
Disa e quajtën thyerje tabuje, të tjerë, të parakohshme për Shqipërinë. “Eva dhe Adami” ishte sfilita e stilistes Merita Toçila, që provokoi jo pak reagime, një vit më parë. Në këtë sfilatë modelet guxuan të dalin gjysmë nudo. “Një vepër arti i ka brenda gjithë motivet, qëllimet, arsyet, qoftë për t’u diskutuar, për të reaguar, për të qenë një risi në llojin e vet”, thotë Merita Toçila.
Për Nënë Terezën
Nga nudoja, Toçila kalon në një tjetër ekstrem, tek më e përkora. Në nderim të një prej figurave më të shquara shqiptare, Nënë Terezës, ajo ndërtoi një tjetër sfilatë. Të gjitha veshjet e saj ishin stiluar duke pasur për bazë dy ngjyrat karakteristike të petkave të shenjtores, të bardhë e bojëqielli. Ishte kjo një sfilatë, e cila tërhoqi vëmendjen e publikut.