E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koretë ndërpresin çdo lidhje mes tyre

Kriza

Koreja e Veriut do të ndërpresë të gjitha llojet e lidhjeve dhe marrëdhënieve me Korenë e Jugut në kuadrin e përshkallëzimit të krizës mes dy pjesëve të gadishullit. Shumë fabrika që ndodhen në kufi mes të dy vendeve janë mbyllur dhe punëtorët janë dërguar në shtëpi. Ky reagim vjen pasi ndërkombëtarët kanë fajësuar Korenë e Veriut për goditjen me pasojë mbytjeje të një anijeje të Koresë së Jugut në 26 mars ku humbën jetën 46 detarë. Koreja e Jugut ka deklaruar se planifikon që ta çojë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ka kërkuar një kundërpërgjigje të unifikuar të ndërkombëtarëve. Ndërkohë, Pjonjangu ka bërë të ditur se anija ishte futur në ujërat e saj territorialë duke kryer një shkelje flagrante, si dhe kanë kryer akte provokative ndaj vendit. Ndërkaq, sipas burimeve të Koresë së Veriut, ajo do të marrë masa të ashpra ndaj veprimeve të tilla provokative dhe ndërkohë ushtria e saj është në gatishmëri të plotë të situatës. Kjo është një nga situatat më të rënda dhe më të tensionuara mes të dy vendeve që prej shumë kohësh. Deri tani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë në Korenë e Jugut mijëra trupa ushtarake i kanë dalë krah Seulit, duke dënuar ashpër veprimin e Koresë së Veriut. Klinton deklaroi se Kina dhe vendi i saj duhet që të punonin së bashku për t’i dhënë një kundërpërgjigje veprimit të Koresë së Veriut. Ndërkaq, Pekini u ka bërë thirrje të dy vendeve që të tregohen gjakftohta dhe të heqin dorë nga kërcënimet e ndërsjella luftarake.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›