E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka ende për të thënë e bërë për Lin Delinë

Antonella Muzi, drejtoresha e muzeut “Lin Delija”, në qytetin Antrodoco në Itali, flet mbi ekspozitën e piktorit shqiptar në atdhe, që e konsideron si një rikthim të tijin në Shqipëri

Për Lin Delijan, piktorin shqiptar të lindur në Shkodër në 1926, të vendosur në Itali në vitin 1955, ku edhe ndërroi jetë në 1994-n, pas një qëndrimi të gjatë në Antrodoco, ekspozita e çelur në Tiranë prej datës 24 maj, por edhe dhënia e urdhrit “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) që Presidenti Bamir Topi i akordoi me këtë rast, është paksa një kthim në shtëpi për veprat, por edhe për piktorin vetë. Pas çeljes në Antrodoco, qytetin ku jetoi, të muzeut "Lin Delija - Carlo Cesi", hapja e kësaj ekspozite në tokën shqiptare përfaqëson një etapë të rëndësishme në vlerësimin e veprave të piktorit shqiptar. Mbi këtë projekt, Antonella Muzi, drejtoresha e muzeut "Lin Delija", flet në një intervistë ku shpjegon edhe arsyen se si lindi kjo ekspozitë. Veprat e Lin Delisë janë ekspozuar në sallën “Skënderbeu” në Presidencë.

Znj. Muzi, cilat janë shkaqet që ju shtynë të organizonit një ekspozitë kushtuar Lin Delisë në vendin e tij të origjinës?

Muzeu gjithnjë është perceptuar si një vend i gjallë, i gatshëm të stimulojë përballjen me shoqërinë. Për këtë arsye, në optikën e bashkëveprimit kulturor që karakterizon identitetin tonë, kemi shtrënguar marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë. Dhe pikërisht me rast të këtyre shkëmbimeve kulturore që kemi pasur me qeverinë shqiptare, lindi edhe ideja e kësaj ekspozite në Tiranë.

Mbi cilat tematika dhe mbi cilat vepra të piktorit do të zhvillohet ekspozita në Tiranë?

Ekspozita e artit bashkëkohor, që çelet në tokën shqiptare, mundohet të rindërtojë sipas një rrjedhe kronologjike rrugëtimin artistik të Lin Delisë. Veprat janë zgjedhur nga koleksione private dhe publike. Ekspozita sjell në vëmendje punët e një artisti shqiptar që larg tokës së tij ka mundur të shprehë vlerat artistike pa u bërë rob i regjimit. Lin Delija ka mundur të trajtojë tema fetare, politike e sociale, sepse jetoi edhe vitet e regjimit në Itali. Prezantimi i artit të Delisë në atdheun e tij, të lirë nga kushtëzimet, ka një rëndësi të madhe.

Cili është roli dhe vlera që një iniciativë e tillë mund të ketë për Italinë në nivel artistik, kulturor e social?

çdo ekspozitë, nëse organizohet me kujdes, sjell një pasuri si për shoqërinë, ashtu edhe për institucionet e përfshira. Mbi të gjitha kontribuon në rritjen e studimeve mbi artistin, për të cilin kritika është shprehur gjithnjë mjaft pozitivisht. Por ka shumë për të thënë e për të bërë për të.

Marrë nga: www.lindelija.it

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›