Shpërthimi, shoqërohen disa të dyshuar
FIER Edhe dy ditë pas shpërthimit të një sasie lënde plasëse, vendosur në automjetin tip BMË, me targa të huaja YNH 7117, në pronësi të Gentian Varfit, me detyrë shef i Inspektoratit Ndërtimor Fier, ngjarja ende nuk ka autor. Njëri prej banorëve dëshmitarë rrëfen se ora kur ndodhi ngjarja ka qenë e vonë. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë Qarku Fier tha se është plotësuar dosja me veprën penale të “shkatërrimit të pronës së tjetrit”. Ajo deklaroi se policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe të identitetit të autorëve. Sipas saj, janë shoqëruar në komisariat dhjetëra të dyshuar. Por ende nuk ka një emër konkret si autor të kësaj ngjarjeje. Burime të tjera të pakonfirmuara nga policia thanë se po punohet në disa pista. Por më kryesorja, bëjnë të ditura këto burime, është ajo për shkak të detyrës së Varfit. Pronar i mjetit, shefi i Inspektoriatit Ndërtimor, Gentian Varfi atë çast ka qenë në shtëpinë e tij, një hyrje në pallatin shumëkatësh poshtë të cilit ishte parkuar edhe mjeti BMË. Pas shpërthimit, është lajmëruar policia e rendit. Ekspertë të policisë kanë kontrolluar me mjete të posaçme mjetin e shkatërruar, me dyshimin për ekzistencë të një pjese lënde plasëse ende të pashpërthyer. Për më shumë se 90 minuta ka vijuar ekspertimi i vendngjarjes, marrja e shenjave, mbledhja e fakteve etj. Në mesnatë mjeti është tërhequr dhe dërguar në mjediset e komisariatit të policisë, si prova kryesore e këtij akti të rëndë. Pronari i mjetit, Varfi, nuk ka dashur të komentojë ngjarjen, duke i lënë gjithçka në dorë drejtësisë. Gentian Varfi ka punuar prej vitesh në policinë ndërtimore në Fier. Më pas, me krijimin e Inspektoriatit Ndërtimor të Republikës, ai është transferuar në qytetin Vlorë. Vetëm një muaj më parë, me krijimin e degës së Inspektoriatit Ndërtimor Fier, Varfi është emëruar shef i këtij sektori për rajonin Fier.