E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH-ja dërgon inspektorë për të marrë masa

Hepatiti A

Pas rasteve të evidentuara në Elbasan me hepatitin A, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar inspektorët për hetimin e rastit dhe parandalimin e shtimit të personave të infektuar. Për këtë të gjitha strukturat shëndetësore në qarkun e Elbasanit duhet të raportojnë çdo ditë nëse ka raste të reja të hepatitit A, një sëmundje infektive jovdekjeprurëse që përhapet nga mungesa e kushteve higjeno-sanitare, ndërkohë që çdo ditë do të kryhen dhe analizat e ujit të pijshëm, deri në një urdhër të dytë nga Drejtoria e Shëndetit Publik në këtë rajon.

Pas shfaqjes së hepatitit A tek të paktën 15 fëmijë të një kopshti në Bashkinë e Cërrikut në qarkun e Elbasanit, Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat për mbajtjen nën kontroll të situatës, ndër të cilat veçohet vazhdimi i hetimit epidemiologjik nga ana e personelit shëndetësor, promocioni shëndetësor nga personeli i kopshtit dhe atij shëndetësor, si dhe dezinfektimi çdo ditë i kopshteve.

Burime nga MSH-ja thanë se "për të mbajtur në kontroll të vazhdueshëm situatën dhe për të eliminuar rastet e hepatitit A, janë angazhuar të gjitha institucionet shëndetësore në Elbasan dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik të Tiranës". Inspektimi i hollësishëm i gjendjes në vend u pa i nevojshëm, pas njoftimit nga shërbimi epidemiologjik i rrethit, bazuar dhe nga denoncimet e ardhura nga spitali pediatrik i Elbasanit dhe nga laboratori i tij.

Nga të dhënat e DSHP-së në Elbasan, mësohet se deri në 27 tetor në Bashkinë e Cërrikut janë diagnostikuar gjithsej 15 raste me hepatit viral akut, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve fëmijëve që frekuentojnë kopshtet e bashkisë.

Hepatiti A është një sëmundje infektive që shkaktohet nga një virus dhe përhapet përmes duarve dhe ushqimeve të palara, orendive të kontaminuara etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›