Korrektimi, PS nënshkruan me aleatët, pritet PD

Milo, Rama e Gjinushi gjatë nje tryeze
Takimi i Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj ka përfunduar pas më shumë se 60 minutash. Në përfundim të takimit, duke folur për mediat, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo tha se propozimet e tryezës së partive të vogla për korrektimin e sitemit zgjedhor kanë marrë mbështetje nga të gjitha partitë opozitare, ndërsa pritet konfirmimi edhe nga partitë e maxhorancës.
Milo tha se drafti i përgatitur bashkë me kërkesat e partive opozitare, do t’i dorëzohet komisionit për reformën zgjedhore, nga të cilët presim një ftesë për të diskutuar bashkë me ta.
Ai tha se drafti do të dorëzohet në komision sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa përfaqësuesi i Partisë Republikane, Arjan Madhi do të merret me përfaqësuesit e të djathtëve.
Kreu i PDS-së, u shpreh se Madhi ende nuk ka kontaktuar me Partinë Demokratike, apo me kryeministrin Sali Berisha, si përfaqësues i maxhorancës, por Milo shprehu bindjen se në fund të ditës së sotme do të kemi edhe një konkluzion lidhur me nënshkrimin e Partisë Demokratike.
Ne e kemi kryer punën tonë me opozitën, shpresojmë që në përfundim të ditës do të kemi një konkluzion edhe për nënshkrimin me Partinë Demokratike- tha Milo.
Propozimet e partive të vogla
Llogaritjen dhe shpërndarjen e mandateve, me qëllim korrektim proporcionalisht të votave për çdo subjekt zgjedhor
Aplikim i një formule që realizon një ndarje të plotë proporcionale brenda koalicionit në nivel rajonal
Korrektim për ndarjen e mandateve në nivel kombëtar
Ulje e pragut elektoral në 2% të partive që konkurrojnë më vete dhe 4% për koalicionet
Akses të plotë për vëzhgimin e procesit zgjedhor nga të gjitha subjektet konkurruese
Regjistrimin e grupimeve zgjedhore brenda një koalicioni
Regjistrimin e listave shumemërore të kandidatëve të koalicioneve