Korridori 8, kërkohet ndihmë nga BE-ja
Katër shtete: Shqipëria, Italia, Maqedonia e Bullgaria kërkojnë mbështetje më të madhe ekonomike nga Bashkimi Evropian për të ecur me Korridorin 8. Në Tiranë u mblodhën dje përfaqësues nga Komisionet e Transportit të 4 shteteve nga kalon ky korridor. Ata nënshkruan një deklaratë në drejtim të BE-së. Ndërsa Italia shkon edhe më tej, duke i kërkuar Bashkimit Evropian të lërë mënjanë xhelozitë brenda vetes e të kalojë në hapa konkretë në realizimin e këtij projekti. Në këtë mënyrë, Korridori 8 vazhdon të jetë ende një prioritet për vendet të cilat preken nga ky korridor rrugor modern. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mblodhi dje në Tiranë përfaqësues nga Italia, Maqedonia, Bullgaria dhe Komisioni Evropian, ku u bë e qartë se ky korridor nuk do të jetë një ëndërr, por do të kthehet në realitet. “Korridori 8 ka një impakt të ndjeshëm jo vetëm në integrimin infrastrukturor, por edhe ekonomik të vendeve tona. Ai sjell një integrim social e njerëzor të një rajoni, që për një kohë të gjatë ka vuajtur izolimin dhe natyrshëm kërkon rikthimin në familjen evropiane”, - deklaroi Topalli. Në fjalët e tyre drejtuesit e Komisioneve parlamentare të Transportit të rajonit, vlerësuan këtë nismë. Sekretari i Komisionit të Transportit të Parlamentit italian, Karlo Frati, tha se Korridori 8 është element kyç për integrimin ekonomik të rajonit. “Në këtë pikëpamje kërkohet një angazhim konkret i parlamenteve tona për implementimin e projekteve të infrastrukturës”, - tha ai. Edhe përfaqësuesit e tjerë vlerësuan këtë projekt. “Korridori 8 ka një rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik, por edhe social kulturor të vendeve tona. Ne, si parlamentarë, duhet të japim të gjithë mbështetjen për të nxitur përfundimin sa më parë të infrastrukturës së tij rrugore, hekurudhore dhe detare”, - tha kryetari i Komisionit parlamentar të Maqedonisë, Jovan Lazarov. Përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Shqipëri, Luixhi Brusa, tha se Korridori 8 do të jetë një nga përparësitë e Komisionit Evropian në zhvillimin e infrastrukturës së rajonit, për muajt e ardhshëm. Sipas tij, ndërtimi i këtij korridori do të hapë shumë vende punë, si një mjet efikas për përballimin e krizës globale ekonomike.