Pronat, Lohan: Zgjidhja, njëra rrugë për në BE
Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se zhvillimi i Shqipërisë është i lidhur direkt me zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, deklaroi dje se mirëqenia e vendit, rritja e investimeve, paqja sociale si dhe integrimi i vendit janë çështje që varen nga ligjshmëria e pronës. Ai bëri thirrje për zgjidhjen e çështjes së pronësisë, si kthimin, kompensimin e pronës, ashtu edhe procesi i legalizimit. Lohani tha më tej se duhet një siguri ligjore që prona të mos preket. “Përforcimi i së drejtës së pronës dhe zgjidhja për çështjet e lëna varur të kthimit, kompensimit dhe legalizimit janë qartazi themeltare për mirëqenien e përgjithshme të Shqipërisë. Tituj të qartë pronësie dhe siguritë ligjore janë parakushte thelbësore për një zhvillim të suksesshëm të vendit, tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, paqen sociale si edhe për procesin e integrimit evropian të vendit”, - deklaroi Lohan. Ai u ndal edhe tek zhvillimi i turizmit. “Potenciali i bregdetit shqiptar është identifikuar kohë më parë dhe ka tërhequr investitorë të huaj, megjithatë disa investime në bregdet mbeten të fragmentuara për shkak të problemeve me titujt e pronësisë”, - tha më tej Lohan.
Deklarata e Ambasadorit të KE-së në Tiranë erdhi gjatë një debati me ekspertë të BE-së të ardhur në Shqipëri të cilët do të ndihmojë institucionet në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Eno Bozdo, i pranishëm në këtë takim, mbështeti fjalën e Ambasadorit dhe deklaroi se angazhimi i qeverisë është për zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai tha se kjo çështje ka ardhur në përmirësim dhe gjatë këtij viti priten investime të huaja në shifër rekord në vlerën e 600 milionë eurove. Bozdo tha se duhen të paktën 3 vjet që të zgjidhet çështja e titujve të pronësisë.
Ekspertët
Ekspertët e huaj dhanë mendimin e tyre për zgjidhjen e kësaj çështjeje në Shqipëri. Në veçanti, eksperti çek tha se në vendin e tij ka pasur të njëjtin problem për një çështje tashmë është zgjidhur përfundimisht. “Në Çeki është bërë një punë e madhe 5-vjeçare lidhur me çështjen e titujve të pronësisë, e cila përfundon këtë vit dhe e drejta e pronësisë do të lejohet për të gjithë nënshtetasit e BE-së”, - tha eksperti çek, Pavel Çovanac. Ekspertë nga vende të ndryshme të BE-së, përfshirë ata të vendeve ish-komuniste, si Republika Çeke dhe Polonia, do të shkëmbejnë përvojat e vendeve të tyre, duke paraqitur studime të rasteve mbi tema, si blerja e tokës në mbështetje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në zonat industriale në Republikën Çeke, traktate dypalëshe investimi si një garanci për të drejtat e pronësisë së investitorëve. Ata do të shkëmbejnë njohuri me kuadrin ligjor polak për blerjen e tokës nga investitorë të huaj, blerja e tokës në kuadër të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Poloni, blerja e tokës për qëllime publike në Poloni, si edhe procesi i blerjes së tokës nga vendasit dhe të huajt në Greqi.