E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Pas pak ditësh, Shqipëria në NATO



Pas pak ditësh do të ndodhë e paimagjinueshmja, Shqipëria do të hyjë në NATO. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjodhi dje përmetarët dhe një vizitë pune në qytetin e tyre për të shprehur bindjen e plotë se Shqipërinë e ndajnë vetëm pak ditë nga hyrja në NATO. Sipas tij, ky moment historik për mbarë shqiptarët do të hapë një perspektivë të re për Shqipërinë dhe premtoi se do të bëjë gjithçka në linjën e sigurisë kombëtare. Duke bërë të ditur se Shqipëria nuk është më e kohës kur shkruhej poema “Bagëti e Bujqësi”, Topi pohoi se Shqipëria pas shumë pak ditësh do të jetë një vend anëtar me të drejta të plota në NATO, një gjë e paimagjinueshme vite më parë, dhe të jesh anëtare e NATO-s do të thotë të të hapen perspektiva të reja Shqipërisë kudo në institucionet e saj, por dhe qytetarëve në çdo cep. Duke folur në veçanti për të ardhmen e Përmetit, Topi vuri në dukje se përveç mundësive të mëdha që ka, që lidhen me burime natyrore, ka dhe një shans tjetër që është shumë afër një vendi të Bashkimit Evropian, të Greqisë. “Ka një mundësi shumë të mirë komunikimi, me sa di unë ka dhe një binjakëzim shumë të mirë të Bashkisë së Përmetit me Bashkinë e Konicës dhe janë të gjitha elementet dhe të gjitha premisat që Përmeti, edhe në kuadrin e përmirësimit të infrastrukturës të marrë një vlerë të re”, - deklaroi z. Topi. Por, kreu i shtetit gjatë vizitës atje u ndal dhe në shqetësimet e qytetarëve të Përmetit, të bashkisë apo planit të përhapjes me reparte ushtarake, të cilat mund të dalin prej këtij plani. Presidenti sugjeroi që ato t’u kthehen ish-pronarëve dhe premtoi se do të bëjë gjithçka për çështjen e sigurisë kombëtare. “Ato mund të shkojnë edhe në favor të pronarëve, të cilët i kanë pronat pikërisht aty ku kanë qenë këto reparte që dalin nga plani i përhapjes ose tek bashkia në qoftë se prona është publike, për t’i kthyer këto në asete të zhvillimit të qytetit dhe në asete të zhvillimit të aktiviteteve private. Unë do të bëj çmos që duke i harmonizuar gjërat që të shkojnë qoftë në linjën e sigurisë kombëtare, por edhe për në interes vendor, t’i realizojmë sa më mirë”, - u shpreh z. Topi. Presidenti foli dhe për probleme të tjera që kanë dalë pas riorganizimit të pushtetit gjyqësor, të gjykatave të cilat me një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të 28 gushtit të vitit 2007 janë organizuar mbi bazë qarku. “Faktikisht, - tha ai, - këto janë eksperienca të reja, të cilat vijnë edhe si pasojë e spostimeve demografike dhe të çështjeve që kanë në përdorim gjykatat. Gjithsesi, unë jam i ndjeshëm si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për ta marrë si shqetësim dhe për ta trajtuar nëpërmjet mekanizmave kompensues. Për sa u përket elementeve të tjera, që lidhen me zhvillimin e zonës, unë jam i bindur që janë në programet qeveritare që zonat të kenë një zhvillim harmonik”, - deklaroi Bamir Topi. Ai shprehu bindjen se sfidat e Shqipërisë moderne janë sfida që kanë të bëjnë me zhvillimin infrastrukturor. Presidenti përmendi faktin se Shqipëria është një vend me një sipërfaqe relativisht të vogël. “Kur infrastruktura nuk është e mirë, krijon vështirësinë e komunikimit, ndërsa kur rruga është e mirë, dhe unë besoj që kjo është tendenca dhe është një tendencë që shikohet çdo ditë që rrugët të përmirësohen, që komunikimi të përmirësohet, teknologjia e komunikimit sa vjen e përmirësohet, unë besoj që Përmeti nuk do të konsiderohet larg nga qytetet kryesore, nga Tirana, kryeqyteti, por do të jetë një vend që çdo ditë e më shumë do të zhvillohet”. Kryetari i shtetit u prit dje në sheshin “Abdyl Frashëri” nga prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, zëvendësprefekti, Ilir Ibrahimi, kryetari i bashkisë, Edmond Komnino, deputetë të zonës, Flamur Hoxha dhe Diana Çuli, të tjerë përfaqësues të pushtetit vendor, Këshillit Bashkiak, të OSBE-së, ambasadës italiane, si dhe përfaqësues të biznesit vendas. I shoqëruar prej tyre, si dhe nga anëtarë të kabinetit të tij, u ndal të përshëndetej me banorë të shumtë të Përmetit, të cilët kishin dalë në qendër të qytetit për të pritur kryetarin e shtetit. Më tej, Presidenti Topi zhvilloi një takim të shkurtër me kryetarin e bashkisë, z. Komnino, dhe në vijim me anëtarë të Këshillit Bashkiak, kryetarë të komunave përreth, intelektualë dhe biznesmenë. Gjatë këtij takimi, të zgjedhurit vendorë dhe banorët ndanë me Presidentin dhe hodhën ide mbi projekte të ndryshme, të cilat do të ndihmonin zhvillimin ekonomik vendor, duke kërkuar mbështetjen institucionale të kryetarit të shtetit. Në përfundim të vizitës së tij në qytetin e Përmetit, Presidenti Topi u ndal dhe në kantinën e verës “Ladi”, ku u njoh me mjediset dhe teknologjinë bashkëkohore të përdorur në këtë kantinë për prodhimet tradicionale vendase, si verë, raki, uthull etj.

Shqipëria: Integrimi në BE përfshin dhe Kosovën

Shqipëria kundërshton deklaratën e takimit të liderëve të rajonit për çështjet e integrimit evropian. Sipas saj, integrimi në BE përfshin edhe Kosovën.

Me datë 03.02.2009 u zhvillua në Beograd takimi me liderët e rajonit për çështjen e integrimit evropian, ku merrnin pjesë përfaqësues nga Serbia, Kroacia, Bosnja- Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, e cila përfaqësohej nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit, z. Arben Kashahu, dhe këshilltari diplomatik i ministres, z. Ilir Shqina.

Pala pritëse, Serbia, propozoi në këtë takim miratimin e një deklarate të përbashkët drejtuar Bashkimit Evropian ku kërkohej që procesi i integrimit evropian i vendeve të rajonit të kthehej në prioritetin e axhendës së BE-së. Ndër të tjera, në këtë deklaratë kërkohej përfundimi i negociatave me Kroacinë, hapja e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë, konsiderimi i përgjigjes nga Këshilli për aplikimin e Malit të Zi si dhe për aplikimet e pritshme të Shqipërisë, Bosnjës dhe Serbisë. Në këtë deklaratë nuk përmendej Kosova, por vetëm vendet e rajonit të ftuara në takim nga pala serbe. Përfaqësuesit e Ministrisë së Integrimit vlerësuan frymën e bashkëpunimit rajonal si dhe rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë përshpejtimi i procesit të integrimit evropian, por nuk ranë dakord në miratimin e deklaratës, duke theksuar se konfigurimi i ri i Ballkanit si dhe perspektiva evropiane e Kosovës nuk mund të neglizhohet.

Propozuan gjithashtu që në deklaratë të përfshihej edhe kërkesa për përfundimin e shpejtë të studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit midis BE-së dhe Kosovës. Theksuan se ekzistojnë forume rajonale më të institucionalizuara që mund të diskutojnë dhe miratojnë deklarata të një lloji të tillë, se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor e konfiguruar, përfshirë edhe Kosovën, duhet garantuar në frymën e axhendës së Selanikut dhe se procesi i integrimit evropian i këtyre vendeve duhet të jetë individual, i bazuar në meritat e secilit shtet që aspiron hyrjen në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›