E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta akuzon G99

Tiranë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi sot se qeveria po tregohet e pa aftë për procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. “Me gjithë premtimin e bujshëm që dy javë pas fillimit të aplikimit, qytetarët do të fillonin të merrnin kartat e identitetit, me gjithë demonstrimin aktoresk të Berishës të prodhimit të kartës së parë të identitetit, sot e kësaj dite asgjë nuk ka ndodhur, asnjë qytetar nuk ka marrë ndonjë kartë identiteti”-theksoi Meta gjatë një konference për shtyp.

Kreu i LSI-së theksoi se qeveria Berisha po cenon standardin e zgjedhjeve, duke i kompromentuar ato me mos prodhimin e kartave të identitetit. Meta ka kërkuar që “Kryeministri Berisha duhet të lërë demagogjitë, të marrë masa urgjente për fillimin e shpërndarjes së kartave të identitetit, pasi kështu po rëndon më tej veten me përgjegjësinë e prishjes së standardeve të zgjedhjeve të ardhshme dhe perspektivën e integrimit të vendit”.

Meta i është përgjigjur edhe akuzave të Erion Veliaj, i cili drejton shoqatën G99, të kthyer tashmë në parti politike, duke e akuzuar se ky subjekt politik ka përdorur fondet e bashkisë për të arritur qëllimet e tij.

“Për fat të keq, G99 është krijesë e abuzimeve të buxheteve të mëparshme të Bashkisë së Tiranës. Po kështu, unë e kuptoj që kjo është një shoqatë e krijuar nga Kryetari i Bashkisë vetëm për të sharë LSI-në dhe për të kopjuar iniciativat e njohura të LSI, sikurse është e drejta e votës së emigrantëve apo çështje të tjera”-nënvizoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›