E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, nisin problemet për kartat e identitetit

Qytetarët ankohen se shumë prej tyre nuk ndodhen në listat për marrjen e dokumenteve të reja


BURREL- Anomali të theksuara janë vënë re në listat e personave që nuk kanë dokumente identiteti në bashkinë e Burrelit. Këto probleme u vunë re pas publikimit të këtyre listave në godinën e Telekomit, ndërkohë që dhjetëra qytetarë janë dyndur për të verifikuar ato. Sipas qytetarëve, jo të gjithë familjarët e tyre janë pasqyruar në këto lista. Shumë familje kanë të paktën nga një pjesëtar të paregjistruar dhe pa dokument tjetër identifikimi, por që në këto lista nuk figurojnë.
Nisur nga kjo, qytetarët janë paraqitur në bashki por nga zyrtarët e atjeshëm u është thënë se duhet të drejtohen për tek Drejtoria Rajonale e Policisë së Qarkut Dibër për të marrë një vërtetim ku të shënohet "janë pajisur ose jo me pasaportë për jashtë vendit". Si rrugën më të shkurtër qytetarët kanë zgjedhur për tu drejtuar në komisariatin e policisë Mat, por aty kanë marrë përgjigjen se nuk jemi ne që përgjigjemi për këtë problem. Pas një loje të gjatë pingpongu qytetarët kanë marrë përgjigjen tek pushteti lokal se së shpejti do të hapet një zyrë në mjediset e bashkisë së Burrelit, pasi të mblidhen tërë ankesat do të punohet për zgjidhjen e tyre. Askush nuk mund të thotë sa zgjedhës pa dokumente identifikimi nuk janë përfshirë në listat e publikuara, ndaj apelohet që Ministria e Brendshme të publikojë me saktësi emrat e personave që nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit, kur dihet fare mirë se janë komisariatet e policisë që i kanë pajisur qytetarët me pasaporta dhe aty duhet të merret dhe përgjigja për problemin në fjalë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›