Korridori 8, temë e Takimit mes Komisioneve të Transportit të Parlamenteve të Shqipërisë, Italisë, Maqedonisë, Bullgarisë dhe Komisionit Europian.
Projekti i Korridorit 8, ka mbledhur sot, në mjediset e Kuvendit, deputetët e Komisioneve të Transportit dhe Industrisë të Parlamenteve të Shqipërisë, Italisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, me pjesëmarrjen e Trupit Diplomatik, organizmave europiane dhe ekspertëve të fushës.
Takimi Ndërparlamentar, i pari i këtij niveli mbajtur në Shqipëri, synon ti japë një nxitje të mëtejshme qeverive dhe institucioneve të vendeve që përshkon Korridori 8, për të shpejtuar realizimin e projekteve për ndërtimin e tij.
"Korridori i 8 ka një impakt të ndjeshëm jo vetëm në integrimin infrastrukturor, por edhe ekonomik të vendeve tona. Ai sjell një integrim social e njerëzor të një rajoni, që për një kohë të gjatë ka vuajtur izolimin dhe natyrshëm, kërkon rikthimin në familjen Europiane"- u shpreh në hapje të takimit Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Sipas Kryetares së Kuvendit, Korridori 8 është rruga e integrimit të rajonit dhe e krijimit të një hapësire ekonomike europiane.
Në fjalët e tyre drejtuesit e Komisioneve parlamentare të Transportit të rrajonit, vlerësuan dhe falenderuan Kryetaren e Kuvendit për organizimin e kësaj nisme, në funksion të përshpejtimit të ndërtimeve në Korridorin 8.
Sekretari i Komisionit të Transportit të Parlamentit italian Carlo Fratti tha se Korridori 8 është element kyç për integrimin ekonomik të rrajonit.
Në këte pikëpamje kërkohet një angazhim konkret i parlamenteve tona për implementimin e projekteve të infrastrukturës.
"Korridori 8 ka një rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik, por edhe social kulturor të vendeve tona. Ne si parlamentarë, duhet të japim të gjithë mbështetjen për te nxitur përfundimin sa më parë të infrastrukturës së tij rrugore, hekurudhore dhe detare- tha ndër të tjera Kryetari i Komisionit Parlamentar të Maqedonisë, Jovan Lazarov.
Përfaqësuesi i Komisionit Europian në Shqipëri Luigi Brusa, duke falenderuar organizatorët e takimit tha se Korridori 8 ,do të jetë një nga përparësitë e Komisionit Europian në zhvillimin e infrastrukturës së rrajonit, për muajt e ardhshëm. Sipas zotit Brusa,ndërtimi i këtij korridori do të hapë shumë vende punë, si një rrugë efikase për përballimin e krizës globale ekonomike.
Moderatori i takimit, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, dhe Tregtinë, Ylli Bufi tha ndër të tjera se Shqipëria është shumë e impenjuar për te realizimin e projekteve të Korrdiorit 8, si prioritet për zhvilllimin e infrastrukturës.
"Dua të theksoj se roli i Kuvendit , ka qenë i një rëndësie të veçantë dhe shumë aktiv në miratimin e të gjitha marrëveshjeve mes qeverive të vendeve tona, për këtë çështje"- tha zoti Bufi.
Punimet e takimit vijuan me prezantimet teknike, nga përfaqësuesit e katër vendeve, të ecurisë së projekteve infrastrukturore, në kuadër të Korridorit 8.
Kryetari i Komitetit ndërministror të Shqipërisë për Korridorin 8, Kujtim Hashorva duke bërë një prezantim me detaje të punimeve në infrastrukturë, ndër të tjera tha :
"Në planin kombëtar të transportit, qeveria shqiptare e konsideron infrastrukturen si ndër prioritetet më të rëndësishme të zhvillimit të vendit dhe atë rrajonal. Po punohet me të gjitha kapacitetet, që rrugët që lidhin Portin e Durrësit më pikat kufitare të Shqipërisë, të mbarojnë sa më parë.
Pjesëmarrësit në takim theksuan dhe idenë se ndërtimi i Korridorit 8 nuk duhet trajtuar vetëm si çështje infrastrukture, por dhe si komunikim më i gjerë transporti, i kushtëzuar nga politikat doganore, sistemit të taksave, policisë kufitare, dhe çështje te konkurrencës ekonomike mes vendeve të rrajonit.
Deklarata, që u nënshkrua në fund të takimit, u konsiderua nga pjesëmarrësit, si një nisëm konkrete e Parlamenteve të katër vendeve, për ecurinë e mëtejshme të ndërtimit të Korridorit 8 .
Në këtë deklaratë përfshihet dhe kërkesa për të nënshkruar një letër të përbashkët nga Kryetarët e Parlamenteve të katër vendeve, drejtuar Kryetarëve të Parlamenteve të BE-së për të kërkuar mbështetje për Korridorin 8.