Korridori islamik dhe llogorja shqiptare
Doan Dani / Studiues
-Njëkohësisht me përfundimin e luftës në Kosovë, në Itali dilte në treg libri në formë interviste Serbia: l’ultima trincea d’Europa (Serbia: llogorja e fundit e Evropës), i autorit Dragoš Kalaji?, shkrimtar i njohur serb, ishsenator i Srbska Republika, ultranacionalist, themelues i Institutit të Studimeve Gjeopolitike me qendër në Beograd. Përveç shfaqjes së viktimizimit klasik të nacionalizmit serb, autori tenton të emocionojë ndonjë kategori të veçantë lexuesish kontinental me sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, që, sipas tij, në faza të ndryshme të historisë është sakrifikuar për Evropën. Sakrificat fillojnë në mesjetën e vonë me betejën e Fushë Kosovës për të vazhduar, teorikisht, gjatë shekullit të kaluar me spastrimin etno-fetar gjatë konflikteve të Jugosllavisë, për të cilët homologët e Kalaji?, nëpërmjet hipnozës kolektive nacionaliste, janë përgjegjës po aq sa dhuna e armëve. Në thelb ideja e Kalaji? sintetizohet mjaft mirë nga titulli i librit ku Serbia e tij përshkruhet si Valkiria evropiane e angazhuar në një histori mesianizmi me synim shpëtimin e kontinentit nga Lindja apo, siç shprehet autori, nga «korridori islamik». Kjo është arsyeja që në libër Serbia identifikohet si «llogore», pikërisht sepse ka mbrojtur krishtërimin, që Kalaji? e konsideron sinonim të Evropës mesjetare dhe të sotme, çka nxjerr në pah, ndër të tjera, edhe paradigmën e gabuar të mosndryshimit kohor; por gjithashtu, në shekullin e XX, sipas bindjes së autorit, ajo vazhdon të jetë mburojë e Evropës nga depërtimi i sotëm turk. E meqenëse termi i përzgjedhur është «llogore» duhet të nënkuptojmë se raportet e Evropës me Lindjen ose me Turqinë, mes dy besimeve tradicionale apo mes kulturave, janë domosdoshmërisht konfliktuale, aq sa spastrimi i realizuar në Bosnje nga serbët dhe kroatët, e më pas i replikuar në Kosovë por i penguar nga NATO, merr hije normaliteti.
Psikozë epidemike
Disa analogji të psikozës së nacionalizmit serb të shprehur këtu nga Kalaji? përçohen në mënyrë të kthjellët nga mjaft intelektualë shqiptarë, veçanërisht kur është fjala për raportin me Lindjen, qasjen ndaj shekullit XV, ndaj trashëgimisë osmane dhe të ashtuquajturave “vlera shqiptaro-perëndimore”. Debati (pseudo)historik i dy dekadave të fundit vërtitet rreth ngjyrosjes së paradigmave patriotike-marksiste me frymën eurocentrike, që sëbashku tentojnë t’i japin trojeve shqiptare rolin e «llogores» evropiane, duke e shtyrë atë më në jug të Serbisë. Një rezistencë lokale e zhvilluar në emër të interesave politike të disa sundimtarëve, shpesh herë në konflikt me njëri-tjetrin, merr dimension kontinental, fetar dhe kulturor. Inflacioni i etiketave «mburoja e krishtërimit» dhe «Alteti i Krishtit» i shërbejnë më së miri këtij qëllimi. Për t’ju afruar akoma më shumë psikozës ultranacionaliste të Kalaji? nevojitet edhe mekanizmi i “frikës sintetike” i mishëruar nga interpretimi i politikës moderne turke apo nga i ashtuquajturi neo-osmanizëm. Në miopi të tilla është e lehtë të nënvizohet ideja e «llogores» mesjetare dhe e asaj bashkëkohore kundër neo-osmanizmit. Elementi i tretë i analogjisë është propagandimi i rrënjëve evropiane, rigorozisht të përcaktuara nga feja e përbashkët, në kërkim të pranimit në gjirin evropian ose të “indulgjencës”. Ideja e «llogores», e shprehur në këtë mënyrë ose nëpërmjet termit mburojë, shërben për të krijuar përkatësi identitare dhe përjashtime. Por nëse Kalaji? përpiqet të mbulojë gjenocidin e filluar me lindjen e Jugosllavisë, nuk kuptohet mirësia kolektive, në kuptim nacionalist, që pretendon të prodhojë «llogorja» (ndaj Lindjes dhe neo-osmanizmit) e dyfishtë shqiptare.
Dialog dhe monolog
Tani, duke lënë mënjanë praninë e qartë në logjikën e autorit të vijimësisë manipuluese të tezave klasike nacionaliste serbe, pasi historia nuk vërteton ndonjë tendencë të veçantë të popullit serb për të shpëtuar ortodoksinë, krishtërimin apo Evropën, dhe beteja e Fushë Kosovës, ku serbët luftuan edhe kundër njëri-tjetrit, e shpjegon më së miri këtë, ashtu siç nuk vërteton rezistencën permanente të serbëve ndaj osmanëve, ajo që vlen të theksohet dhe që krijon diferencën është publiku të cilit i drejtohet Kalaji?. Faktikisht shkrimtari serb synon dialogun me evropianët që e konsiderojnë cenuese politikën amerikane në Ballkan dhe me kategorinë, që ashtu si ai, e mbyll kontinentin brenda kufijve fillimisht fetar. Meqenëse identiteti kombëtar serb është ndërtuar mbi themele fetare-ortodokse, Kalaji? nuk e ka absolutisht të nevojshme t’i drejtohet kombit të vet, megjithëse, për arsye politike dhe kulturore të shtresëzuara gjatë një mijëvjeçari, nuk është aspak e thjeshtë përpjekja ekumenike e autorit, madje ajo ngjason me një manovër politike, siç mund të jetë pranimi i sforcuar, i vonuar dhe i detyruar i gjenocidit në Srebrenicë nga parlamenti i Beogradit. Këtu ndodh ndryshimi me ato segmente elitare shqiptare që, ashtu si Kalaji?, përqafojnë idenë e «llogores-mburojë». Pikërisht sepse doktrina e nacionalizmit shqiptar është ndërtuar mbi baza jofetaro-tradicionale, të një kombi që në shek. XIX ndiqte tre besime kryesore, publiku i këtyre segmenteve është në radhë të parë ai shqiptar. Anakronizmi i «llogores», i pavërtetueshëm historikisht – si në rastin serb ashtu edhe në atë shqiptar –, më tepër se publikut evropian, në rastin tonë, i drejtohet popullit shqiptar, çka e bën atë kryesisht një monolog kombëtar, gjthmonë nëse mund të flitet akoma për komb shqiptar siç jemi mësuar ta njohim dhe ta pranojmë. Për nacionalizmin serb, të identifikuar, ndër të tjera, edhe nga ortodoksia, ideja e «llogores» me krakter fetar është tashmë e rrënjosur, ndërsa për shqiptarizmin kjo përbën një risi me të cilën fillimisht duhen mësuar vetë shqiptarët.
Një model multientik dhe njëkohësisht përjashtues
Përveç orekseve vetjake, partiake dhe segmentare, sajimi i «llogores-mburojë» shqiptare nuk rrugëton me integritetin kombëtar. Vështirë të gjendet ndonjë rast në botë ku një komb i formuar mbi baza etniko-kulturore të ketë pësuar një metamorfozë të atillë sa realiteti ri nuk përputhet me paradigmat e fillesave. Ka raste lëvizjesh me karakter etno-lokal (në Itali, Francë, Belgjikë, Kanada, etj.), ku në thelb shteti-komb perceptohet si shumë i gjerë për një komunitet specifik i cili kërkon shkëputjen, por këto lëvizje nuk pretendojnë të shtrijë konsensusin “kombëtar” jashtë grupit të vet. “Gjeneralët” e «llogores-mburojë» shqiptare nuk mjaftohen me një etno-lokalizëm të fosilizuar diku në mesjetë, por mundohen të rinacionalizojnë të gjithë kombin shqiptar mbi baza fetaro-tradicionale specifike dhe në funksion të këtij objektivi përvetësojnë teorinë e «pastërtisë së gjakut» të përcaktuar nga feja. Në këtë mënyrë brenda kombit shqiptar krijohen tre etni, të panjohura për shqiptarizmin e rilindësve, që përkojnë me tre besimet kryesore dhe identifikohen nga pozicioni në raport me llogore-mburojën: brenda apo jashtë saj.
Apogjeu i absurditetit
Ideja e «llogores» gjeneron në mënyrë automatike një komb shqiptar multietnik, por nga kombinimi i kësaj ideje me teorinë e «pastërtisë së gjakut» rrjedh përjashtimi. Të jesh brenda kësaj llogoreje-mburojë me karakter fetar, që përbën kufirin e një Evrope të pretenduar parësisht fetare, do të thotë të kesh “identitet antiko-mesjetar” dhe “shqiptarësi të kulluar”, por do të thotë gjithashtu të kesh një identitet fetar specifik dhe të raportohesh me tjetrin në mënyrë ekskluzivisht konfliktuale, madje deri në asgjësim, siç reflekton jetësimi i nacionalizmit serb në tri dekadat e fundit: vetë termi «llogore» përcakton një situatë konfliktualiteti. Të ndodhesh jashtë kësaj «llogoreje-mburojë» nënkupton armiqësi, internim në “vlerat orientale”, në trashëgiminë osmane dhe në traditën fetare islame. Nëqoftëse për imazhin kolektiv serb kjo dikotomi ka kufij të qartë, megjithëse nuk mund të mohohet trashëgimia bizantinoosmane (orientale) e kulturës serbe, në ambientin shqiptar është fatale, sepse në të dy anët e «llogores» ka vetëm shqiptarë: duke kërkuar me çdo kusht renditjen në mburojën fetare të një Evrope teocentrike ndodhemi përballë Atyre ndaj të cilëve duhet të mbrohemi, por edhe Ata jemi përsëri Ne. Ky është përfundimi logjik i transformimit manipulues të epopesë së Skënderbeut në një «mburojë të krishterë» tek e cila duhet të identifikohemi për të qenë shqiptarë dhe nga e cila duhet të marrim shembull për të shpëtuar Evropën nga neo-osmanizmi, që Kalaji? e thjeshtonte në një «korridor islamik» e mjaft intelektualë shqiptarë nuk hezitojnë ta interpretojnë nga i njëjti prizëm. Kuptimi i përpjekjes së shqiptarëve përgjatë historisë merr ngjyresa fetare, ndërsa osmanizmi dhe neo-osmanizmi nga rrafshi politik transferohen në atë fetar. Parodia më domethënëse ndodh në Kosovë. Kërkimi patologjik i përfshirjes në “llogore” shpaloset në mënyrë sistematike nga klasa politike, nga një pjesë e shoqërisë civile dhe nga përfaqësues të institucioneve fetare apo qarqeve të afërta. Për ironi «llogorja» ku përfundojnë është ajo e Kalaji?, i cili përpunon idenë e «mburojës së krishterë serbe» pikërisht për të përjashtuar shqiptarët e Kosovës dhe, pse jo, për të justifikuar spastrimin. Pastaj, sa pak është e influencuar politika evropiane dhe ajo amerikane nga psikoza e Kalaji? e dëshmon ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë. Vallë të jenë aq të painformuar sa të mos e dinë që identiteti serb bazohet tek një doktrinë e krishterë, me rrënjë kulturore pjesërisht të përbashkëta, ndërsa identiteti shqiptar është laik dhe për me tepër kufizon një komb që në raportet demofetare është i kundërt me kombin serb? Këto elita që marrin votën dhe hapësirën publike me premtimin e ëndrrës evropiane në të vërtetë evropian kanë vetëm kostumin. Ato vazhdojnë të notojnë në mentalitetin e konfliktualitetit asgjësues, ndërsa i ndërtojnë raportet përmes llogoreve fetare. Tallja me masën duket kthjellët: patetizmin e motove nacionaliste e shoqërojnë me domosdoshmërinë e rinacionalizimit të kombit mbi baza teocentrike, mirëpo kostoja e «llogores» së përbashkët me serbët është zhbërja e kombit shqiptar.
BOTUAR EDHE NË: WWW.E-ZANI.COM