E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shpresa” se këtu mund të jetohet

 Adriatik Mema / qytetar, Berat

-Nga dita në ditë shpresa jonë se një ditë do të bëhet më mirë po vjen e po venitet deri në hiçgjë. Në vendin tim dhe në vendin tuaj të dashur miq nuk ka më rend dhe qetësi. Ngrehina e shtetit tonë është gati në të rrëzuar; e tronditur aq shumë saqë një ditë ka shumë mundësi t’i zërë brenda edhe “padronët” e saj. Ky shtet duket sikur i ka dhënë duart vetvetes, i ka larë hesapet me njerëzit e vet dhe tani pret vetëm mortin e tij. Nga ana tjetër do të dëgjojmë deklarata euforike të bukuroshëve të qeverisë për arritje në ekonomi, në arsim, shëndetësi, polici, infrastrukturë etj... Ndërsa jetohet me të tilla andralla, opozita, ashtu si e nemitur, tashmë ka filluar të lëvizë prej vendit. Ajo ka filluar të na flasë për Rilindje. Ajo së pari duhet të rilindë vetë, të tregohet më e vendosur në kërkesat e saj dhe ta mbështesë deri në fund një kauzë në favor të interesit publik, sigurisht me mjete demokratike. Opozita duhet t’u kthejë besimin qytetarëve, duhet t’u kthejë atyre shpresën se në këtë vend mund të jetohet. Nëse s’është e zonja për ta bërë këtë, atëherë..., qyqja do të këndojë edhe për “Rilindësit e vonuar”!!! Jashtëligjësia është gjendja e parapëlqyer e shumicës, pa të cilën duket sikur ajo nuk bën dot pa të. Kjo është një gjendje të cilën askush nuk e do, mirëpo deri më tani askush nuk po bën asgjë që kjo gjendje të mos degjenerojë në kaos, dhe..., nëse kjo gjë ndodh, atëherë të gjitha pasojat do të bien mbi popullin e vuajtur. Si gjithmonë. Askush nuk do të mbajë përgjegjësi, si në ’97, do të kacafytemi me njëri - tjetrin, ndërsa ideatorët do të ikin në “drejtim të paditur”, do të largohen bashkë me familjarët e tyre atje ku kanë fshehur llog- aritë bankare dhe do të ndiejnë së brendshmi një lloj shpëtimi kur “laviret dhe horrat e bulevardit” t’i vënë flakën këtij vendi. Dhe atëherë..., qyqja do të këndojë për “laviret e shtetit”!!! Edhe në tempullin e ligjbërjes, atje ku Zhozefina vetëm sa ndez sherre, marrëdhëniet mes të dy kampeve kanë kohë që janë ngrirë. Flitet me urrejtje ndaj njëri-tjetrit, sikur të ishin armiq të vërtetë. Kjo ka sjellë që disa nga kukuvajkat e parlamentit të kukuasin veçse për ditë të mbrapshta. Pajisja me armë e “trimave” të kuvendit kërkon të na parathotë se ata që e udhëheqin këtë vend i kanë punët “fare mirë” me popullin e vet. Kjo mund të jetë edhe një shenjë paralajmëruese se diçka e keqe mund të ndodhë. Ndoshta jetojmë momentet e fundit të një qetësie përpara furtune. Nuk i dihet. Ndoshta ata kanë të drejtë, ndaj për siguri po ngjeshin në brez ndonjë kobure. Ata bëjnë ligjin dhe shteti nuk është gjë tjetër veçse “emblema” që mbulon punët e tyre të pista. Dhe meqë është kështu..., qyqja le të këndojë për shtetin e të marrëve!!!Të gjitha indiciet të thonë se kjo s’është gjë tjetër veçse preludi i rënies së një shteti. Nëse kjo ndodh, atëherë kjo do të jetë rënia e Shqipërisë për të disatën herë. Ajo ndihet e kriminalizuar nga bijtë e saj, që tashmë po duken sikur po lajnë mëkatin e lindjes nga një “lavire” dhe duan ta hanë të gjallë njëri-tjetrin. Qysh sa u bë e tillë, ajo ndien së afërmi e së largu makthin e shfaqur të të vdekurve të saj, të të gjallëve të vdekur, që s’gjejnë prehje dhe as paqe, as dikur dhe as sot, dhe kohë pas kohe kanë për t’u shfaqur si fantazma derisa të ketë shpagim për të drejtën e mohuar.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›