E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Rusi drejt rikthimit të miqësisë*

 Sokol Gjoka / Ambasadori i Shqipërisë në Moskë

-Një ngjarje e rëndësishme për vitin 2012, në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shqipërisë ishte ndër të tjera zhvillimi me sukses i Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rusi, e para me përmasa të tilla, zhvilluar këto vitet e fundit. Në harkun kohor të pothuajse 3 muajve u zhvilluan një sërë aktivitetesh mbi Shqipërinë në Rusi, të cilat zhvilloheshin edhe në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë: si koncerte, ekspozita, javë filmi, konferenca shkencore, të cilat përfshinë, përveç kryeqytetit rus, Moskës, edhe qytete të tjera të rëndësishme si Shën Petersburgun, Nizhni Novgorodin etj. Ashtu si dhe në vitet paraardhëse, edhe gjatë vitit 2012, u ruajt niveli i lartë i konsultimeve diplomatike dypalëshe, u nxit bashkëpunimi tregtaro- ekonomik, ku disa kompani të mëdha ruse si “RosHidro” apo “GazpromNeft” shprehën interes për tregun shqiptar, si dhe u ruajt interesi për të nxitur bashkëpunimin dypalësh në fushën e turizmit, duke hequr regjimin e vizave shqiptare, për të katërtin vit radhazi, për qytetarët rusë që dëshironin të vizitonin Shqipërinë gjatë periudhës së verës. Si ngjarje me rëndësi për t’u shënuar në bashkëpunimin tonë dypalësh ishte edhe krijimi, gjatë vitit 2012, i grupit parlamentar të miqësisë Rusi-Shqipëri si dhe emërimi i Konsullit të Nderit të Shqipërisë në rajonin e Leningradit dhe qytetin e St. Petersburgut. Të gjitha këto janë një bazë e mirë për të nxitur bashkëpunimin dypalësh Shqipëri-Rusi edhe në vitin 2013, gjatë të cilit pritet të avancohet në rrugën e konsultimeve diplomatike në nivel të lartë, në rrugën e bashkëpunimit ndërparlamentar, të zhvillohet sesioni i radhës i komisionit të përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunim tregtaroekonomik dhe tekniko-shkencor, të nxiten marrëdhëniet e binjakëzimit midis qyteteve të ndryshme shqiptare me ato ruse, të forcohet bashkëpunimi arsimor, kulturor, ai në fushën e turizmit etj. Fryt i bashkëpunimit dypalësh pritet të jetë gjatë këtij viti edhe lehtësimi i regjimit konsullor për qytetarët e të dy vendeve tona. Sa i përket çështjeve që prekin rajonin Ballkanik, sidomos ato që lidhen me sigurinë, sikundër është e njohur, Shqipëria e mbështet dialogun e hapur midis Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Shqipëria është për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura midis palëve në këtë dialog. Lidhur me çështjen e ashtuquajtur të “trafikimit të organeve”, Shqipëria ka mbështetur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar plotësisht me EULEX për të hetuar për të gjitha çështjet e ngritura në raportin e reporterit të KE-së, Dick Marty. Pala shqiptare e mbështet fort këtë hetim gjithëpërfshirës, për ta mbyllur një herë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Kosovë e në Shqipëri janë kryer krime të tilla. Parlamenti shqiptar miratoi vitin e kaluar një ligj të posaçëm që lejon hetimet e EULEX në Shqipëri për këtë çështje. Shqipëria mendon se EULEX është i vetmi autoritet zyrtar që ka tagrin, aftësinë dhe kapacitetet e duhura për të hetuar lidhur me çështjet e ngritura në raport, deklaroi Ambasadori shqiptar. Ndërkohë nuk mund të mos përmenden disa ngjarje të kohëve të fundit që kanë rritur tensionin. Largimi me forcë nga autoritetet serbe i memorialit dedikuar dëshmorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, ç’ka solli edhe disa reagime të dënueshme në Kosovë, ishte një akt i përdorimit të forcës së pushtetit qendror përkundrejt një veprimi të ligjshëm të autoriteteve vendore shqiptare. Krahasimet e luftëtarëve të UÇPMBsë me “terroristët” e “Al-Qaeda-s” janë sa cinike aq dhe të papranueshme. Shqipëria është e interesuar për trajtimin e shqiptarëve në Serbinë e Jugut sipas standardeve të përparuara ndërkombëtare dhe demokratike. Ne mbështesim integrimin e plotë qytetar dhe të barabartë të shqiptarëve të kësaj zone në jetën dhe institucionet e shtetit të Serbisë. Sa i takon dhunimit të disa varreve serbe apo dëmtimit të ndonjë kishe ortodokse në Kosovë, si rezultat i reaksionit zinxhir të veprimeve në Luginën e Preshevës, Qeveria shqiptare, ashtu si dhe Qeveria e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar, i ka dënuar këto akte kriminale dhe ka kërkuar që autorët e tyre të përballen me drejtësinë. Në këtë kuadër Qeveria shqiptare ka miratuar një fond të veçantë për riparimin e shpejtë të tyre.

Marrë nga "Zëri i Rusisë"/*Titulli është redaksional


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›