"Korrieri": Qato triumfon

Bledar Kuka- TIRANË – Ashtu sic pritej edhe ndodhi. Boksieri shqiptar Kreshnik Qato fitoi titullin e kampionit të botës në federatën WBF, pasi mundi unanimisht me pikë portugezin Viktor Sa, në Tiranë. Pasi pësoi K.D. (Knock Down) në raundin e parë, Qato e sundoi krejt ndeshjen duke e kthyer në favorin e tij. Treshja e gjyqtarëve dha vendimet me pikë: 119-110, 117-111, 120-111 në të mirë të durrsakut. Përvec titullit botëror WBF, në pallatin e sportit "Asllan Rusi" Qato vuri në brez edhe titullin mesdhetar të federatës së rëndësishme WBC.
"Jam shumë i lumtur që arrita të realizoja ëndrrën time, - tha Qato pas ndeshjes në "Ora News" dhe TVSH, - e dija se isha në formë shumë të mirë, por fillimi i ndeshjes i vështirësoi gjërat. Për fat dhe për shkak edhe të mbështetjes së publikut, ia dola të fitoja titullin e kampionit të botës". Dedikimi i tij ishte për gjithë shqiptarët dhe sponsorin e tij, Ylli Ndroqi. "Fitoren ia dedikoj gjithë tifozëve që më mbështetën dhe gjithë shqiptarëve, por edhe sponsorit tim, zotit Ndroqi, pa ndihmën e të cilit unë nuk do të bëhesha dot kampion i botës".
Rivali i tij, Sa, foli me respekt për shqiptarin, duke vlerësuar teknikën e tij. "E nisa më mirë ndeshjen dhe isha pranë fitores, por Qato boksoi shumë mirë sonte, - tha portugezi, - ai ishte tepër i shpejtë dhe teknik".
Për vetë rëndësinë e takimit, federata WBF (World Boxing Foundation) pati të pranishëm në "Asllan Rusi" presidentin e saj Mik Kraucër dhe koordinatorin për Europën, Olaf Shrëder. Të dy drejtuesit botërorë e përgëzuan Qaton për suksesin. Qato sponsorizohet nga z.Ylli Ndoqi, pronari i kompanisë Yldon, ndërsa sponsorizues të ndeshjes ishin edhe MTKRS, Bashkia e Tiranës, Ora Neës TV, Univers Reklama, hotel "Rogner", Austrian Airlines, Vivechrom, Joy Travel, Ajer Promotion etj.