E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana: “Nga dy Olimpikët, do të fitojë Marseja”

Kapiteni i Marsejes, shqiptari Lorik Cana, beson se presioni është mbi skuadrën e tij në sfidën luksoze kundër kampionit të Francës, Olimpikut të Lionit.
Marseja arriti një fitore madhështore kundër Lorient në transfertë, por dëshiron të marrë tri pikët e radhës për të rikuperuar diferencën 3-pikësh me Nansin në betejën për të zënë vendin e tretë dhe një vend në fazën eliminatore të Ligës së Kampioneve.
Kur kanë mbetur edhe vetëm shtatë javë nga përfundimi i kampionatit francez, klubit mesdhetar, nuk i lejohet më asnjë gabim përballë Lionit, që ka fituar gashtë ndeshjet e fundit.
"Les Gones", të cilët kryesojnë me nëntë pikë diferencë nga vendi i dytë, janë të sigurt për fitimin e titullit të shtatë rresht, por Cana beson se skuadra e tij do ta përsërisë suksesin e fazës së parë (2-1), për më tëpër që luan në shtëpi.
"Presioni për të marrë rëzultatin do të jetë mbi shpatullat tona, pasi edhe nëse Lioni do ta humbasë këtë ndeshje, nuk do të ketë asnjë konskuencë për ta në kampionat", -tha mesfushori shqiptar për faqen zyrtare të klubit, www.on.net.
"Të mundësh Lionin do të na lejojë ne të vazhdojmë ecjen e mirë në termat e pikëve dhe të mundësh ekipin më të mirë në Francë do të jetë pozitive për ne. Këtë vit ne e mundëm Lionin në ‘Stade Gerland (2-1)' dhe ne luajtëm shumë mirë. Një ndeshje kundër gjashtë herë kampionëve të Francës është gjithmonë speciale. Por kampionati nuk përfundon me Lionin".
Në takimin kundër Lionit do të materializohet edhe iniciativa e bamirësisë së Lorik Canës. Nga cdo biletë e shitur, kapiteni i Marsejës në marrëveshje edhe me drejtuesit e klubit do të marrë 1 euro për ta nisur më pas në Shqipëri, në ndihmë të fëmijëve të varfër shqiptarë.
Shuma e mbledhur (besohet 50 mijë euro) do të dhurohet fondacionit "Domeniko Scaglione", që kryesohet nga bashkëshortja e kryeministrit shqiptar, Liri Berisha.
"Show" humanitar i Lorikut vazhdon me ndeshjen e bamirësisë të organizuar nga Fabio Celestini, një ish-lojtar i Olimpikut të Marsejës, i cili aktualisht mbron ngjyrat e Getafes në Spanjës. Ndeshja e bamirësisë e "Fondacionit 4-4-2" do të luhet, më 21 prill në Gjenevë të Zvicrës.
Emrat që do të luajnë janë nga më të njohurit e futbollit botëror: Raul, Jordi Krujf (djali i Johan Krujfit), Mikael Laudrup, Stefan Shapuiza, Enco Franceskoli, Zinedin Zidan, vellëzrit Kantona, Zhan Pierr Papin, "Bolo" Zenden, Bazil Boli dhe sigurisht Lorik Cana, i cili ka luajtur edhe më parë një tjetër ndeshje bamirësie të organizuar nga "Ronaldo e Zidan friends".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›