"Sot:": Boksi shqiptar hyn në histori, Qato shpallet kampion bote

Ndodhi ajo që pritej. Boksieri shqiptar Kreshnik Qato u shpall dje kampion bote në versionin WBF dhe gjithashtu kampion mesdhetar në versionin WBC në peshën super të mesme. Boksieri durrsak arriti që të triumfojë me pikë në sfidën e djeshme të zhvilluar në pallatin e sportit "Asllan Rusi" ndaj boksierit portugez Vitor Sa. Qato fitoi me pikë nga llogaritja e të tre gjyqtarëve. I pari i dha avantazhin 119-110, gjyqtari i dytë 117-111 dhe gjyqtari i katërt i dha avantazhin 120-111. Me këtë fitore, boksieri shqiptar hyn në historinë e boksit shqiptarsi i pari që arrin të shpallet kampion bote dhe tashmë hap rrugën e vazhdimit të karrierës në versionet më të rëndësishme. Një duel që pritej me shumë interes dhe që kishte mbushur shkallët e pallatit të sportit në kryeqytet. Raundi i parë nis keq për boksierin tonë, i cili pas vetëm disa sekondash përfundon i shtrirë në tapet duke u ngrirë zemrat të gjithë shqiptarëve që ndoqën sfidën e djeshme, por Qato arrin të ngrihet shumë shpejt. Gjatë 3 raundeve të para, është durrsaku ai që ka inisiativën dhe sulmon, por portugezi Vitor Sa mbrohet mirë duke u kundërpërgjigjur me goditje të thata dhe poshtë mjekrës. Boksieri durrsak që jeton dhe stërvitet në Angli, shfrytëzon gjatësinë e tij trupore dhe të krahëve duke lëshuar goditje të njëpasnjëshme në fytyrën e kundërshtarit. Gjatë raundeve të 4 dhe të 5, kundërshtarët përshkohen edhe nga momente nervozizmi midis njëri-tjetrit duke shkaktuar më shumë emocion në shkallët e pallatit të sportit në kryeqytet. Në raundet e mëpasshme, sfida vazhdon të flasë për Qaton, i cili gjithmonë është në sulm, por kundërshtari vazhdon të rezistojë duke u mbrojtur mirë dhe në disa raste kundërpërgjigjet rrezikshëm. 3-4 raundet e fundit të sfidës flasin thuajse plotësisht për boksierin nga Durrësi, i cili sulmon shumë, në një kohë që portugezi Vitor Sa thjesht mbrohet duke lëvizur në ring. Pas përfundimit të raundit të 12, Qato e parandjen se do të ishte fitues duke ngritur duart lart, në një kohë që edhe kundërshtari bën me shenjë nga shqiptari se është pikërisht ky i fundit fituesi. Gjyqtari zyrtarizon më pas edhe boksierin si fitues të kësaj sfide duke i ngritur dorën lart boksierit 29-vjecar duke shkaktuar në të njëjtën mënyrë edhe ngritjen peshë të tifozerisë së zjarrtë që kishte mbushur shkallët e pallatit të sportit "Asllan Rusi" në kryeqytet. Pas përfundimit të kësaj sfide, Qato, shum i emocionuar u shpreh: "Jam shumë i gëzuar për fitoren e sotme(dje) dhe mund të them se e kisha parashikuar një gjë të tillë duke parë përgatitjen e madhe që kisha bërë. Këtë fitore ja dedikoj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe atyre që më kanë mbështetur gjatë të gjithë kësaj periudhe. Tashmë do të festojmë për këtë fitore shumë të rëndësishme dhe duhet të mendojmë për takimet e ardhshme" u shpreh në prononcimin e tij, boksieri shqiptar. Ndërkaq, promotori i Qatos, Ylli Ndroqi, menjëherë pas përfundimit të duelit të shumëpritur, u shpreh: "Jam shumë i emocionuar pasi arritëm që boksin shqiptar ta cojmë në nivele shumë të larta dhe merita për këtë ka padyshim boksieri Kreshnik Qato që tregoi vlera shumë të mëdha në takimin që zhvilloi sot(dje). Kundërshtari ishte shumë i fortë dhe këtë e tregoi përgjatë të gjithë raundeve të sfidës. Me këtë fitore fituan të gjithë shqiptarët, të cilët tashmë kanë me se të tregohen pasi boksieri ynë është kampion bote" përfundon prononcimin e tij, Ylli Ndroqi.