E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznisë i rëndon ende humbja 4-0

Vllaznia kërkon me forcë pikët maksimale nga ballafaqimi me Shkumbinin në transfertën e Peqinit, por kujtimet e hidhura të asaj humbje "poker" me rezultatin 4-0, ende rëndojnë psikologjikisht në shtëpinë kuqeblu.
Në kampin e Gugash Maganit ndodhet një lojtar që e njeh mirë Vllazninë. Ky është ish-sulmuesi i kuqebluve, gjirokastriti Arlind Nora, i cili për fat të mirë apo të keq, shënoi edhe golin e parë të Vllaznisë në fitoren 3-1 të fazës së parë.
Por, nëse ish-sulmuesi i Elbasanit synon të kontribuojë për bardhekaltërit peqinas pas humbjes 3-0 me Besën e Kavajës, Shkumbinit i mungon Gentian Stojku, i cili ka realizuar në portën e Grimës tre nga pesë golat që ka shënuar formacioni i presidentit Xhavit Ismaili.
Vllaznia (gjysmëfinaliste në Kupë) ndjen presionin e Besës (me pikë të barabarta), për më tepër që i mungojnë dy lojtarë me peshë: Albert Kaci (i pezulluar) dhe Gilman Lika (i dëmtuar).
Sulmuesi i Vllaznisë, Vioresin Sinani, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit (17 gola) synon nga ana e tij të shënojë të paktën një gol kundër peqinasve, kur në 180 minutat e para nuk është autori i asnjë prej 4 golave të realizuar nga skuadra e tij kundër Shkumbinit.
Shkumbini, që në shtëpi ka pësuar vetëm një humbje nga 12 takimet e luajtura, kërkon të bëjë kthesën pas humbjes shokuese në Kavajë.
Ky do të jetë takimi i 36-të midis dy skuadrave: 12 fitore Shkumbini, 5 barazime dhe 17 fitore Vllaznia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›