E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsion me lejet e të dënuarve, zbardhen përgjimet e ish-drejtorit të burgut

LEZHE - Ish-drejtori i Burgut të Shënkollit në Lezhë, Valentin Miri, i arrestuar për korrupsion me lejet e të dënuarve, i ka marrë shumat e ryshfetit nëpërmjet shërbimit Western Union.
Zyrtari i lartë i administratës së burgjeve, i cili ra në pranga pas hetimit nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje dhe Task-Forca e Prokurorisë, akuzohet për të paktën katër raste të marrjes së ryshfetit kundrejt dhënies se lejes së daljes nga burgu për të dënuarit. Hetimet kanë zbuluar se shuma që jepej si ryshfet varej nga kohëzgjatja e lejes që kërkonte i dënuari. Gjithçka është zbuluar e dokumentuar nga përgjimet disamujore, por edhe nga veprime të tjera hetimore.

“Nga hetimet ka rezultuar se drejtori i burgut aplikonte shuma të ndryshme ryshfeti për kohëzgjatjen e lejeve që u mundësonte të dënuarve që mbaheshin në qelitë e Shënkollit”, thanë burimet nga hetimi ditën e djeshme. Sipas tyre, prej të paktën dy muajsh, ish-drejtori i burgut po hetohej me metoda speciale, të cilat kanë mundësuar regjistrimin e komunikimeve të shumta që kanë të bëjnë me veprën penale. “Ish-drejtori i burgut kërkonte 100 euro për leje njëditore dhe 300 euro për leje deri në 5 ditë”, thanë burimet nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, i gjithë skandali ishte zbuluar pas një informacioni të marrë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje, që e referoi çështjen në Njësinë Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, e cila i hapi rrugë hetimit të plotë të ngjarjes. Kështu, gjatë hetimit prej më se tre muajsh, u arrit të dokumentoheshin shumë fakte që kishin lidhje me veprën penale të kryer nga ish-zyrtari i Burgut të Shënkollit.

LEJET ME LETRA FALSE
Veç përfitimit në mënyrë të paligjshme të shumave të ryshfetit nga drejtori Valentin Miri, dyshohet se Burgu i Shënkollit ka dhënë në mënyrë abuzive leje të tilla. “Sipas ligjit, ka një frekuencë të caktuar për dhënien e lejeve të daljes nga burgu, nuk mund të jepet leje brenda një muaji dy herë”, kanë thënë burimet e hetimit. Sipas tyre, drejtori i burgut i ka instruktuar personat që kërkonin leje që t’i “kopsitnin” dokumentet e kërkesës. Kështu rezulton se në të paktën 14 raste burgu ka pranuar kërkesa për leje nga të dënuarit, të cilët kanë pasur dokumente false.

“Bëhet fjalë për raporte mjekësore të falsifikuara në të cilat pretendohej se një i afërm i të dënuarit ishte sëmurë dhe i burgosuri kërkonte leje për të shkuar e për të qëndruar pranë të afërmit të vet”, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, vërtetimet mjekësore rezultojnë të falsifikuara nga këqyrja fizike që u është bërë, por edhe nga përgjimet e kryera gjatë hetimit është konfirmuar një fakt i tillë.

Drejtori i Burgut të Shënkollit, Valentin Miri, sipas hetimeve, komunikonte rregullisht në celular me të dënuarit që mbaheshin në institucion. Ai u jepte atyre të dhënat e nevojshme për kohën dhe mënyrën e pagesës së ryshfetit që dorëzohej me Western Union nga të afërmit e të burgosurve që ndodheshin jashtë qelive në Shqipëri apo në emigracion.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›