E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsion me listën e grevistëve që do të marrin lejen të dalin si të sëmurë nga çadrat

Ditari online i deputetit disident të çadrës së jugut

Deputeti disident i çadrës jugore ishte shumë i trembur gjatë ditës së djeshme. Kudo nëpër këmbë ndjehej shqetësimi i socialistëve, sepse axhenda e përshkallëzimit të grevës së urisë nuk po përmbushej. “ç’të të them moj grua, shkruan disidenti në networkun e tij virtual me familjen, jam i shqetësuar e s’ta fsheh dot. Na thanë se veç 2-3 ditë duheshin e më pas do vinte dalja triumfale, por asgjë s’ndodhi. S’dua të tjetë triumfale, por të paktën të jetë dalje”. Ditari i djeshëm është i mbushur dingas me korrupsionin e ri që po vihet re ndër çadrat e veriut (kjo e jona ka qëlluar shumë parimore, nënvizon pronari i ditarit). Pasi u mor vesh se askush nuk e di se kur do të mbyllet kjo mesele, shumica e milionerëve që u futën në grevë për t’i bërë përshtypje kryetarit e për të marrë ndonjë bonus ndërtimor pas berihajit të fitores, kanë nisur kush e kush të ofrojnë shuma që të jenë të parët që do të dalin nga çadrat si “grevisti që u dorëzua pas ditës së 6-të” apo si “biznesmeni që u bë verem për demokracinë”. Por, si gjithmonë, në sistemin e Edvinit, fjalën e kanë në dorë sekserët, prandaj edhe dita shitet dhe blihet disa herë. “Llogaritë janë të vështira, sepse negociohet me minuta dhe jo me muaj, moj grua, prandaj edhe Eduard Shalësi s’po ia del dot dhe papritur, i lodhur nga ecejaket, ka vendosur të mos e heqë fare mjekrën”. Iu afrova Beqjes, moj grua, megjithë vështirësinë që kam për shkak të aromës së fortë të lëkurës së tij, por s’ma vari... Paske nge ti, - më tha – sipas përllogaritjeve të mia, më 2011-n të vjen radha. As anëtar kryesie s’je, as në listën e donatorëve, bile edhe anëtar partie tashti vonë ke ardhur, pas dialogut me Shqipërinë që bëri kryetari. Mallkova zot e dreq, moj grua, që nga raca jemi shumë të fortë, sepse gjyshërit e mi me kos e lëpujka janë rritur... Zëre se kanë qenë në grevë urie gjithë jetën. Bile racioni ditor i Beqjes, që ma kalon mua, meqë atij ia sjell nën dorë Shalësi, mund të them se ka më shumë kalori se mesatarja shumëvjeçare e fisit tonë me prejardhje të drejtpërdrejtë nga kaonët ilirë.
Lëre-lëre ç’u bë rrëmujë, moj grua, prej atij Artanit, pronarit të Logorecit, i cili paskësh marrë vesh nga një gazetë e PD-së që ishte futur tinëz (e di ti vetë, ajo e mbushur me të zeza për kryetarin, që çdo ditë i vjen më e hidhur se kafeja...”55”-a pra, ftillohu), se në lokalin e tij po bëhej pallë ariu prej të gjithë socialistëve të brezit të dytë, që kanë mbetur jashtë çadrave. Ata po u mblidhkan turra-turra tek restoranti dhe po thënkan se kanë mesazhe të koduara nga kryetari... Ke parë ti, që të gjitha mesazhet e koduara janë me spageti me fruta deti, me pica katërfishe, bile një deputete e Qarkut të Durrësit kishte pasur një mesazh të koduar edhe për haviar... Lëre-lëre, kjo porosia e fundit ia kishte luajtur tepelekun e kokës dhe ai e ka prishur krejt pazarin për t’u renditur si të sëmurë në ditën e 7-të të grevës. Praktikisht ai e ka të fituar davanë, sepse e shoh se edhe Beqja, edhe Shalësi nuk sillen më mirë me të, pasi, me sa duket, është dhënë urdhri nga lart që të nxirret me ambulancë.
Edhe zgjidhja e dytë që më erdhi ndërmend, moj grua (pse s’të thënkam dot “mjaltëz” sot moj grua? Helbete jam fort i shqetësuar, sepse zakonisht fjalën “mjaltëz” e shqiptoj me zë stomaku, dhe prej ditësh, qeska ime tretëse e ka humbur atë aftësi), ajo e simulimit të një të fikëti s’pi ujë. Klodiana, deputetja që kuptoi e para mekanizmin se si dilej nga çadrat me faqe të bardhë e pa u turpëruar faqe botës, qenka më keq se cerberi i ferrit. Disa të fikëta simultane dje s’i klasifikoi si të tilla, duke ulëritur se ishim burrecë e se ishim aq të shëndetshëm sa në dy ditët e ardhshme, mund të përballonim edhe dy parainfarkte.
ç’të të them moj grua, me Klodianën intransigjente dhe me Tanin e Logorecit që e ka prishur krejt pazarin e sekserëve për një vend në listë, edhe nesër besoj se s’do më lënë të më bjerë të fikët, prandaj mbaje hapur networkun, mjaltëz (oh, sa m’u lodh stomaku), se ndoshta do të kemi sërish wireless për një puqje tjetër virtuale.
Po të kisha takat, do të të puthja me mall, që nga çadra e jugut, e cila për dreq ka qëlluar më idealistja, e për rrjedhojë edhe më e shtrenjta për xhepat tanë, xhepat e një familjeje socialiste nga jugu, me të ardhura të mesme.
Ciao a domani!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›