E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reformat dhe thithja e investimeve e mbajtën Shqipërinë jashtë efekteve të krizës”

“Crans Montana”, sërish në Tiranë

Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje hapjen e edicionit të ri të forumit ekonomik të “Crans Montanës”, duke siguruar se qeveria shqiptare është zotuar të mbështesë investimet e huaja në Shqipëri. Kreu i qeverisë Berisha tha se vendi ka një klimë mjaft pozitive për biznesin dhe nisur nga kjo po përjeton një ecuri pozitive zhvillimi ekonomik, pavarësisht vështirësive si pasojë e krizës financiare botërore.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha e cilësoi si mjaft të veçantë kohën kur mbahet ky forum, një kohë krize ekonomike botërore, por të cilës Shqipëria i bëri ballë, me shumë pak luhatje, falë reformave shumëdimensionale që janë ndërmarrë në lehtësimin e të bërit biznes në Shqipëri.
“Investitorët kanë nevojë jo vetëm për ligje të mira, por gjithashtu edhe për infrastrukturë të mirë, për shërbime të mira. Prandaj qeveria ime ka lëvizur në të gjitha drejtimet. Ne jemi të angazhuar që ta bëjmë vendin tonë me ngarkesën fiskale më të ulët në Evropë”, nënvizoi gjatë fjalë së tij kryeministri Berisha.
Në këtë kontekst, kryeministri Berisha renditi si mjaft të rëndësishme, zhvillimet që ka pasur në regjistrimet on-line të biznesit, modernizimin e doganave, taksa e sheshtë 10 për qind, pagesa e taksave on-line.
“Dje pashë regjistrin elektronik të bizneseve të reja, është shumë inkurajuese. Investimet direkte të huaja në 2008, janë rritur prej 59 për qind. Pasi Shqipëria mori ftesën për në NATO, deri më sot, ne kemi nënshkruar me 5 miliard dollarë koncesione dhe investime të drejtë për drejta të huaja. Investimet e huaja janë ulur pak, por nuk janë tërhequr. Të gjithë po vazhdojnë me projektet e tyre dhe qeveria është pranë tyre” u shpreh kryeministri Berisha.
Duke u ndalur në efektet që kriza ekonomike botërore pati në Shqipëri, kryeministri Berisha vuri në dukje se vetëm falë reformave të ndërmarra dhe performancës së qeverisë, u arrit që të përballohej me sukses ajo tronditje e lehtë që u pasqyrua edhe në ekonominë shqiptare.
“Rritja ekonomike ra nga 8 në 3.5 për qind. Gjithashtu rënien patën edhe eksportet. Bankat në tre mujorin e fundit të 2008 u përballuan me pasojat e një farë paniku dhe disa qindra miliona euro kursime u tërhoqën. Ne vendosëm që të vazhdonim me reformat si mënyra e vetme për të përballuar këtë krizë. Si është situata sot? është me të vërtetë krejtësisht ndryshe. është bërë një punë e lavdërueshme. Eksportet e Shqipërisë në tre mujorin e parë të këtij viti janë rritur më shumë se 100 për qind. Eksportet e Shqipërisë në vendet e importit, janë rritur me 26 për qind. Kemi një rritje marramendëse me eksportet tona. Sistemi bankar është një nga sistemet më të shëndetshme në botë. Depozitat u rritën. Në sistemin tonë bankar sot ka 780 miliardë lekë dhe janë kredituar rreth 45 miliardë lekë që do të thotë se raporti depozitë-kreditim, është shumë më mirë se optimalja e parashikuar”, u shpreh më tej, kryeministri Berisha.
Në këtë kontekst kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria do të ngelet jashtë krizës ekonomike botërore për tri arsye: ngarkesa e ulët fiskale ndaj biznesit; sektori publik i vogël, që nuk rëndon në supet e taksapaguesve; investime të rëndësishme dhe strategjike, kryesisht në infrastrukturë, që të gjitha këto në funksion të biznesit.
Kreu i ekzekutivit, në fjalën e tij iu referua edhe zgjedhjeve parlamentare, të cilat u zhvilluan vitin e kaluar.
Kryeministri tha se realizimi i atij procesi ndër më modernët në historinë politike të Shqipërisë dhe një pjesë të vendeve të Evropës, i hapi rrugë dorëzimit të Pyetësorit të Shqipërisë në BE dhe njëherazi pritet të reflektojë në liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit kandidat.
“Qershorin e viti të shkuar ne patëm zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ishte angazhimi im i plotë dhe i qeverisë time për të vazhduar me zgjedhje të cilat do të plotësonin standardet ndërkombëtare. Këto ishin zgjedhjet më moderne në vendin tim, por në disa aspekte, si numërimi, ishte modeli më modern që ka parë ndonjëherë Evropa. Falë teknologjisë së lartë në qendrat e numërimit, çdo votë u filmua, u fotografua, u transmetua në një ekran të madh në kohë reale, i cili i transmetohej Komisionit Qendror të zgjedhjeve. Megjithatë kemi opozitën në protestë, pasi gjykata e hodhi poshtë rinumërimin e votave. Por vendimi i gjykatave do të respektohet totalisht. Shteti i së drejtës funksion në këtë vend. çdo qytetar shqiptar do të ketë të drejtën të protestë në mënyrë paqësore në çfarëdo lloj forme, që ai ose ajo e konsiderojnë më të përshtatshme”, deklaroi ndër të tjera, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›