E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsion me provimet, në gjyq infermieri



TIRANE - Akuzohet nga prokuroria si "ndikues" tek pedagogët e Fakultetit të Infermierisë për dhënien e provimeve të studentëve, të cilët i jepnin para. Burime zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës bënë të ditur mbërritjen në këtë gjykatë të dosjes në ngarkim të Astrit Barës. Sipas, Prokurorisë së Tiranës, Bara akuzohet për veprën penale të "ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike". Procedimi penal ndaj tij ka nisur nga kallëzimi i një studenti në muajt e fundit të vitit 2010. Në vijim prokuroria, nëpërmjet përgjimeve të autorizuara ambientale dhe telefonike ka provuar "ndërmjetësimet" e kryera nga Bara. Referuar hetimeve të zhvilluara nga prokurori Armand Gurakuqi, ka rezultuar se i pandehuri Bara i ka marrë një studenti të fakultetit të Infermierisë shuma prej 20, 15 dhe 2 mijë lekësh. Sipas organit të hetimit, këto para Bara të cilat do t'ia jepte pedagogëve të studentit për t'i siguruar atij nota pozitive në provime. "Rezulton e provuar se shtetasi Astrit Bara, ka konsumuar elementët e veprës penale për të cilën akuzohet. I pandehuri ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi R.Z. shuma parash, duke i premtuar dhe siguruar aftësinë këtij personi, për të ushtruar ndikim të pa-ligjshëm në kryerjen e detyrës nga pedagogët e fakultetit të infermierisë", thuhej në kërkesën për gjykim. Në Gjykatën e Tiranës kjo dosje do të shqyrtohet nga gjyqtari Besnik Hoxha. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›