E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëntë studentët e drogës, korriere një 17-vjeçare



Etleva Delia

Grupi i studentëve të Juridikut, të cilët u arrestuan dy ditë më parë për shitje bimësh narkotike në Tiranë, furnizohej me hashash nga Lazarati nëpërmjet një vajze. Vajza 17-vjeçare, e cila ishte pjesë e grupit dhe e dashura e drejtuesit të rrjetit, Klevis Abazaj, dyshohet se ka qenë korrierja që transportonte drogën nga Lazarati në Tiranë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, 9 studentët janë mbajtur për rreth 3 muaj në vëzhgim nga oficerët e Antidrogës, të cilët ishin informuar se Xhoana Guçe, ishte transportuesja e kanabisit, e ndihmuar nga i dashuri i saj. Duke qenë në një moshë të mitur, por edhe për faktin se ishte femër, Xhoana Guçe e kishte më të lehtë se pjesëtarët e tjerë të grupit që të sillte në kryeqytet pakot me bimë narkotike, pa rënë në gjurmët e policisë. Një ditë para se të realizohej operacioni i koduar "Bulevard", oficerët e policisë, u informuan se nga Lazarati do të vinte një ngarkesë prej 2 kilogramë bimë narkotike dhe po prisnin momentin që të ndërhynin për kapjen në flagrancë. Kontrollet e rrepta të policisë në Qarkun e Gjirokastrës, bënë që transporti i ngarkesës nga 17-vjeçarja, të dështonte dhe në këtë mënyrë studentët u detyruan që të hedhin në treg rreth 2 kilogramë hashash "të vjetër", që kishin në shtëpi. Ky ishte momenti më i përshtatshëm që policia zgjodhi për të nisur operacionin, duke arrestuar fillimisht me rreth një kilogram bimë narkotike, Klevis Abazajn dhe të dashurën e saj Xhoana Guçen, duke dalë nga shtëpia e më pas një e nga një pjesëtarët e tjerë të grupit.
BAZA E STUDENTEVE
Sipas policisë 17-vjeçarja Xhoana Guçe që prej dy vitesh kur kishte lidhje intime me shtetasin Klevis Abazaj, ishte njohur me të arrestuarin në Berat. Ajo ishte larguar 3 herë nga shtëpia dhe familjarët e kishin denoncuar pasi ishte vendosur në Tiranë ku qëndronte me partnerin e saj. Në tri rastet e largimit nga banesa, vajza është gjetur në kryeqytet nga policia e cila e ka kthyer tek familja e saj, duke qenë se ishte në moshë të mitur. Së fundi ajo ishte larguar nga banesa, duke u thënë prindërve se do të jetonte në Tiranë, ku do të fillonte punë dhe do të përgatitej për të nisur studimet në degën e Juridikut. Por sipas policisë, ajo bashkë me të dashurin e saj, 19-vjeçarin Abazaj, kishin marrë një shtëpi me qera, në katin e pestë të një pallati, pranë universitetit privat, tek Bulevardi "Zogu i Parë", ku edhe u arrestuan. Në këtë apartament mblidheshin herë pas here edhe 7 pjesëtarët e tjerë të grupit, Alban Belulaj, Ergus Hasaj, Armand Beaj, Albano Kolonjari, Ervin Taullau, Gerin Hasaj dhe Gjergj Ndini, të gjithë studentë nga Fieri, Lushnja dhe Berati. Apartamenti i Abazaj dhe Guçes shërbente si bazë për ndarjen e pakove me hashash, pasi vajza sillte mallin nga Lazarati, në mënyrë që t'i bënin gati për shitje. Në të njëjtën kohë, studentët edhe konsumonin në grup bimë narkotike e më pas shpërndaheshin në zona të ndryshme për ta tregtuar.

Të arrestuar

1. Klevis Abazaj, 19 vjeç
2. Xhoana Guçe, 17 vjeç
3. Gjergj Ndini, 20 vjeç
4. Gerin Hasaj, 20 vjeç
5. Ervin Taullau, 26 vjeç
6. Ergys Hasaj, 21 vjeç
7. Armand Beaj, 22 vjeç
8.Albano Kolonjari,20 vjeç
9.Alban Belulaj, 21 vjeç

Sekuestruar
2 kilogramë
kanabis sativa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›