Korrupsion në dogana me 400 milionë lekë

Një tjetër skandal korruptiv përfshin drejtorin Përparim Dervishi, në prokurimin e aparateve me vlerë 400 milionë lekë që do të funksiononin për matjen e sasisë së karburantit të importuar
Faktet vazhdojnë ende të dëshmojnë se për drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ky institucion konsiderohet një minierë ari, e cila jep herë pas here frytet e saj pa shteruar ndonjëherë. Do të ishte mëkat që këtë herë të mos fokusohemi tek një tjetër skandal që mbart në vetvete DPD-ja, skandal ky që lidhet me fondin prej 400 milionë lekësh të dalë nga buxheti, i cili “është vjedhur” nga ata që drejtojnë kryesinë e doganave. Kështu, edhe pse para shumë kohësh është realizuar një prokurim me vlerën e 400 milionë lekëve, i cili konsistonte në blerjen e aparateve që shërbejnë për matjen e sasive të karburanteve në import, funksionimi i këtyre pajisjeve ende nuk ka filluar. Duke ditur që në muajin mars të 2009-ës import i karburanteve do të përqendrohet në portin e Porto Romanos, investimi i kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për këto aparatura deri tani rezulton jo vetëm korruptiv, por edhe i pamotivuar, duke u bazuar këtu në periudhën kohore për të cilën është menduar të shërbejnë këto aparatura. Rreth një javë më parë, gazeta “Korrieri” demaskoi një tjetër skandal të drejtorit Përparim Dervishi, i cili kishte gjetur një mënyrë të mirë për të mashtruar eprorët e tij në qeveri, mënyrë kjo që lidhej me mosrealizimin e planeve në shumë degë doganore dhe mbulimin e humbjeve nga zhdoganimet e karburanteve me çmime të larta.
Prokurimi i skanerëve
Por duket se ka edhe më shumë për të thënë në lidhje me DPD-në, institucion tashmë ku mbizotëron karakteri korruptiv, sikurse e tregojnë faktet investigative apo edhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ende nuk dihet se në çfarë faze është prokurimi i skanerëve, me të cilët do të pajiseshin degët doganore, premtim ky i theksuar në mënyrë të përsëritur në konferencat për shtyp të Përparim Dervishit që përpara tre vitesh. Pajisja me këto skanerë sot është domosdoshmëri, në kushtet kur kontrolli i kufijve përbën kusht për integrimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave.
Drejtor me dorë të hekurt
Nuk mbaron me kaq për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe drejtorin Përparim Dervishi, i cili në vend që të japë shpjegime mbi skandalet me karakter korruptiv që mbart institucioni i tij, merret me mesazhe telefonike fyese ndaj atyre që demaskojnë këto skandale, duke shkelur me këmbë kështu edhe Zyrën e Shtypit në DPD. Duket se institucioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave është kthyer prej kohësh në një bunker të fortifikuar, ku drejtohet me dorë të hekurt, censurohet informacioni dhe fyhen gazetarët. Nisur nga këto fakte, duket se Dervishi paguhet si rrogëtar edhe në rolin e zëdhënësit të institucionit që drejton.