Korrupsioni, Godo: Pas denoncimit, pacientët tërhiqen
Denoncimet e korrupsionit nga ana e pacientëve dhe familjarëve të tyre shpeshherë kanë rezultuar të pafrytshme. Një pjesë e denoncuesve, pasi lokalizohen nga Ministria e Shëndetësisë, tërhiqen pa i shkuar çështjes deri në fund. Denoncimi mbetet thjesht deklaratë, duke mos ndëshkuar asnjë. Kjo është pohuar nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në një intervistë të dhënë në emisionin “Studio e hapur”. Sipas saj, me gjithë apelet e bëra publikut për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit në shëndetësi, denoncimet janë bërë anonime ose janë të pavlefshme.
Abuzimi
Korrupsionit në shëndetësi i është shpallur luftë nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila ka deklaruar se abuzuesit do të çohen për ndjekje penale. Madje, ajo shpeshherë gjatë daljeve të saj publike ka kërkuar edhe ndihmën e publikut për bërjen prezente të rasteve korruptive. Sipas saj, një ndihmesë e rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit janë edhe denoncimet e publikut. Por, Godo shprehet se lokalizimi i denoncuesve jo gjithmonë ka rezultuar i frytshëm. "Fatkeqësisht, korrupsion ka, korrupsion ka në disa nivele jo vetëm thjesht në atë ryshfetin që i jepet mjekut, ajo ndoshta është ana me e parëndësishme, dhe aty do të akuzoja si bashkëfajtor edhe vetë pacientët. Ka korrupsion në shumë plane dhe ne jemi vënë të bëjmë auditin në çdo skaj të Shqipërisë. Ka rezultuar që kemi një numër të madh penalizimesh, largimesh nga puna, vërejtjesh me shkrim apo me gojë, gjoba në para deri çuarje të dosjeve në prokurori", - bëri të ditur Godo. Denoncimi i korrupsionit në shëndetësi ka ndëshkuar vetëm një pjesë prej tyre. Kështu, sipas ministres Godo, përgjatë periudhës shator 2008 deri në mars 2009 janë larguar nga puna 21 persona, ndër të cilët drejtorë dhe punonjës të administratës. Gjithashtu, janë dhënë 81 vërejtje në punë si dhe janë bërë 10 kallëzime penale. Dhe në total, nga 47 auditime dëmi ekonomik i shkaktuar është 12.476.000 lekë.
Kontaktet
Ministria e Shëndetësisë prej disa kohësh ka vendosur “linjën jeshile”, numrin 069 20 24 322, për të denoncuar dhe luftuar korrupsionin në shëndetësi. Sipas burimeve pranë MSH-së, "ka një problem në këtë raport, në këtë aftësi për ta afruar dhe të perceptuarit të problemit". Megjithatë, të dhënat tregojnë se në këtë "linjë jeshile" publiku po drejtohet gjithnjë e më shumë për të zgjidhur problemet e veta. Por, sipas tyre, ajo çka mbetet shqetësim, është se ankesat që bëhen, nuk mund të identifikohen të nesërmen. "Humbet adresa, humbet pika e referimit në momentin që ne fillojmë të investigojmë", - thonë burimet nga MSH-ja. Kohë më parë, i njëjti shqetësim është ngritur dhe nga Urdhri i Mjekut. Ankesat e ardhura, kryesisht për trajtim të diferencuar shëndetësor të të sëmurëve, të nesërmen mbeteshin pa adresë.
Shator 2008 – Mars 2009
1. Janë larguar nga puna 21 persona, ndër të cilët drejtorë dhe punonjës të administratës
2. Janë dhënë 81 vërejtje në punë
3. Janë bërë 10 kallëzime penale
Totali Në 47 auditime dëmi ekonomik është 12.476.000 lekë
Medikamentet
Furnizimi bëhet në 6-mujorin e parë të vitit
Brenda 6-mujorit të parë të vitit, të gjitha spitalet në vend do të furnizohen me medikamentet dhe materialet e nevojshme për aktivitetin normal të tyre. Bazuar në reformën që përfshiu spitalet në skemën e sigurimeve shëndetësore në fillim të këtij viti, tenderimet e medikamenteve dhe materialeve të tjera kryhen nga bordi drejtues i spitaleve, duke garantuar dhe furnizim të përhershëm me to. Sipas ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, "duke prokuruar vetë, spitalet do të dinë të zgjedhin brenda buxhetit që u është dhënë se cilat janë ato medikamente, materialet e konsumit etj., që janë prioritare dhe të domosdoshme për aktivitetin normal të tyre". Ndërkohë, sipas Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, "nisja e kësaj reforme synon dhënien e një autonomie të caktuar spitaleve, të cilat do të jenë përgjegjëse për furnizimin me medikamente, pasi do të jenë ato që do të përcaktojnë nevojat dhe do të realizojnë tenderat për ilaçet". Por, spitalet do të jenë të kontrolluara për përdorimin e këtyre fondeve nga ISKSH-ja, në mënyrë që ato të shkojnë për nevojat e pacientëve dhe sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Si pjesë e reformës, spitalet do të administrojnë gjithashtu të ardhurat e tyre dytësore, përdorimi i të cilave do të përcaktohet nga vetë bordet drejtuese të tyre.
Bashkia
Nis rehabilitimi i bllokut të banimit në Kinostudio
Bashkia e Tiranës, në vijim të punës për përmirësimin dhe rehabilitimin e blloqeve të banimit në kryeqytet, është duke punuar për rehabilitimin e bllokut 61 që i përket zonës së Kinostudios. Në këtë projekt janë parashikuar që të ndërtohet edhe një rrjet i ri kolektorësh për ujërat e zeza dhe të bardha, të cilët do të mbulohen nga të ardhurat e bashkisë. Në një deklaratë për shtyp të Bashkisë së Tiranës dje, thuhet: “Aktualisht firma sipërmarrëse “Sirius’’ po punon në një sërë aksesh rrugore në këtë zonë brenda bllokut 61, duke përfshirë edhe rrjetin e kolektorëve të rinj”. Po sipas kësaj deklarate, banesat që ndodhen në krahun lindor të kësaj rruge, deri para fillimit të ndërtimit të kolektorit, i kanë realizuar shkarkimet e ujërave të zeza, në mënyrë individuale, të paorganizuara dhe pa një projekt teknik. “Nisur nga situata e rënduar në këtë aks rrugor, janë marrë të gjitha masat për ndërtimin e kolektorit dhe njëkohësisht për plotësimin e të gjitha kërkesave të banorëve të kësaj zone për realizimin e shkarkesave në mënyrë të rregullt”, - thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.
Moti
Sot nisin shirat
Mbi territorin e vendit kanë ndërruar masat, të cilat vijnë të paqëndrueshme dhe më të ftohta. Gradualisht, temperaturat kanë rënë dhe pritet të pësojnë zbritje të mëtejshme deri në fundjavë. Sipas shërbimit meteorologjik të ushtrisë, të enjten në mbrëmje nisin shirat, ku në lartësi ato pritet të jenë në formën e dëborës. Karakteristikë për këto ditë do të jetë forcimi i erës dhe pritet që për orët në vijim të kemi një erë të vrullshme. Intensiteti i saj do të jetë më i lartë në fundjavë, e si pasojë, në det të hapur parashikohet që valëzimi të arrijë deri 6 ballë. Sipas shërbimit meteorologjik të ushtrisë, pjesën e dytë të së dielës pritet të kemi mot më të kthjellët dhe me ardhjen e javës së re edhe ringritje të vlerave.