E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku klandestin, 30.6 vite burg për pesë të pandehurit



Të ndihmuar edhe nga efektivë të policisë mundën që të kalonin drejt Greqisë kundrejt përfitimit një numër të konsiderueshëm klandestinësh. Për këtë akuzë, dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit nëpërmjet efektivave të policisë, shpallen fajtorë nga gjykata dhe dënohen me 30.6 vite burg dhe 33 milionë lekë gjobë pesë të pandehurit e arrestuar përgjatë operacionit të koduar “Butrinti”. Vendimi u shpall dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërkohë që një seancë më parë, prokurori i çështjes, Ardian Nezha, kishte kërkuar dënimin me 60.2 vjet burg dhe 44 milionë lekë gjobë për pesë të pandehurit. Gjatë arsyetimit të vendimit dhe paraqitjes së rrethanave të ngjarjes, si dhe provave që mori në konsideratë, gjykata dënoi përfundimisht me 7 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë të pandehurin Arjan Shehu; 6.3 vjet burg dhe 7.5 milionë lekë gjobë për dy të pandehurit Kadri Emini dhe Ilimi Bejko; 6 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë për të pandehurin Emin Halili, si dhe 5 vjet burg e 6 milionë lekë gjobë për të pandehurin Ilia Thoma.

Akuza

Të pandehurit e arrestuar në sajë të operacionit “Butrinti” akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur të kalojnë grupe të ndryshme personash në mënyrë ilegale drejt Greqisë. Për realizimin e këtij qëllimi, drejtuesi i grupit kriminal, Arjan Shehu, kishte “rekrutuar” dy punonjësit e policisë, Kadri Eminin dhe Ilmi Bejkon, të cilët duke kryer shërbimin në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Botë të Sarandës, nuk bëheshin pengesë për kalimin e klandestinëve të trafikuar nga ky grup kriminal. Organi i akuzës ka sqaruar se në harkun kohor maj-qershor 2007, të akuzuarit Arjan Shehu, Emin Halili, Ilia Thoma dhe punonjësit e policisë, Kadri Emini dhe Ilmi Bejko, në 5 raste kanë bashkëpunuar në formën e “grupit të strukturuar kriminal”, duke bërë të mundur kalimin e një numri të konsiderueshëm personash nga territori shqiptar në atë grek. Rasti i pari ka ndodhur në datat 26 dhe 27 maj 2007. Sipas hetimeve, më 26 maj 2007, Arjan Shehu flet rreth orës 09:30 me Emin Halilin dhe i thotë se “sonte do të kishte shumë peshk” (klandestinë). Pas kësaj bisede, Arjan Shehu për të siguruar rrugën në Qafë-Botë bisedon me Kadri Eminin (punonjës policie), duke e pyetur nëse ishte ai me shërbim atë natë. Rasti i dytë i kalimit të klandestinëve shqiptarë drejt Greqisë ka ndodhur më 29 maj 2007. Në këtë rast, kreu i grupit, Arjan Shehu, bashkëpunon për grumbullimin dhe transportimin e klandestinëve me dy persona, nga Laçi e Mamurrasi. Pasi ata kanë çuar klandestinët në Sarandë, transportimi i tyre deri në Qafë-Butrint është bërë nga Arjan Shehu, me shofer Emin Halilin dhe taksistin Ilia Thoma. Në këtë ngjarje, Arjan Shehu bashkëpunon prapë me punonjësit e policisë, Kadri Eminin e Ilmi Bejkon. Kalimi i grupit të tretë me klandestinë është bërë më 7 qershor 2007. Arjan Shehu ka organizuar trafikimin e një grupi klandestinësh që vinin nga Mamurrasi. Ai ka pyetur policin Kadri Emini nëse ishte me shërbim atë natë. Vetëm pasi ka mësuar se polici Kadri Emini ishte me shërbim atë natë, Arjan Shehu ka kërkuar nga bashkëpunëtorët e tij të mësonte pse nuk ishin nisur klandestinët. Rasti i katërt i trafikimit ka ndodhur më 16 qershor 2007, kur Arjan Shehu në bashkëpunim me dy persona çoi në Sarandë 15-16 persona, që do të lëvizeshin atë natë drejt Greqisë. Grupi i fundit i kalimit të klandestinëve është ai i datës 21 qershor 2007, kur reparti GOS, policia Sarandë, ka arritur të kapë 5 persona tek një kanal në fshatin Vrinjë.

Të pandehurit dhe masat e dënimit

Arjan Shehu, 7 vjet burg dhe 6 milionë gjobë

Kadri Emini, 6.3 vjet burg dhe 7.5 milionë gjobë

Ilmi Bejko, 6.3 vjet burg dhe 7.5 milionë gjobë

Emin Halili, 6 vjet burg dhe 6 milionë gjobë

Ilia Thoma, 5 vjet burg dhe 6 milionë gjobë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›