PSE BERISHA DUHET TË VAZHDOJË TË QEVERISË
Nga dr. Sami GJERGJI*
Kriza e përgjithshme që ka përfshirë botën, natyrisht që në një formë a në një tjetër, pak apo shumë, për një kohë të gjatë apo për një kohë më të shkurtër, do t’i shtrijë tentakulat e veta edhe mbi biznesin shqiptar. Pyetja se si duhet konsideruar qëndrimi i komunitetit të biznesit ndaj kësaj krize, është nga më të vështirat që mund t’i bëhet qoftë një ekonomisti, qoftë një politikani. Pavarësisht nga ngjarjet politike brenda dhe jashtë vendit, biznesi shqiptar ka dhe do të ketë kostot e tij.
Gjatë gjithë këtyre viteve, qeveria “Berisha” ua ka bërë të qartë njerëzve se vendimmarrja politike nuk varet vetëm dhe thjesht nga politika e qeverisë, por edhe nga faktorë të tjerë, veçanërisht jashtë vendit në kuptimin e krizës ekonomike që ka mbërthyer botën mbarë.
Politika është bërë “pronë” e politikanëve, çka do të thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për vota, por për një konceptim të ri dhe në përputhje me kohën e të bërit politikë.
Po t’i shikojmë me kujdes lëvizjet e fundit në politikën shqiptare dhe po t’i analizojmë ato në kontekstin politik të kohës, ato që media i quan lëvizje “të çuditshme” të liderëve politikë, do të gjejmë në mos një përgjigje të saktë, të paktën do të kuptojmë se si po lëviz politika shqiptare me taktika të panjohura deri tani në “pokerin” politik të këtij viti zgjedhor. E vërteta e kësaj “loje” mund të gjendet pak a shumë në atë që në politikë thuhet “mes rreshtash”.
Politika dhe politikani nuk nxiten dhe nuk mbruhen nga interesat e çastit apo nga ndonjë emocion që sjell mosha dhe pasiguria që e shoqëron atë, por, të paktën duke u nisur nga përvoja ime e gjatë në fushën e biznesit, ajo nënkupton qëndrimin ose sjelljen afatgjatë të një individi që është angazhuar dhe ka marrë përsipër të menaxhojë një sërë dëshirash njerëzore që përfaqësojnë përfitimin e disa qëllimeve të caktuara shoqërore, si sigurinë e pronës, punësimin, sigurimin shoqëror dhe shëndetësor, rendin dhe sigurinë në komunitet; me pak fjalë: një jetë më të mirë krahasuar me një periudhë të mëparshme.
Edhe pse viti 2005 është një vit “i vonshëm” kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, krahasuar me aspiratat ose, thënë më thjesht: në lidhje me hallet dhe dertet e një populli të tërë në pritje për ta rregulluar jetën e tij prej vitesh dhe … prej shekujsh. Ta themi më troç: njerëzit e thjeshtë duan vepra dhe jo fjalë: duan të shohin me sy, të prekin me dorë, të shijojnë dhe të gëzojnë dhe jo, thjesht, të dëgjojnë diçka që u thuhet në vesh.
Nuk po qëndrojmë në argumente që tashmë konsiderohen të vjetruara, sikundër ka ndodhur rëndom në politikën shqiptare të viteve të fundit, për fat të keq. Le të sjellim pak në vëmendje sjelljen politike të Presidentit amerikan, Obama, i cili në kushtet e një krize ekonomike ndërkombëtare me përmasa të panjohura, ka kurajon dhe merr përsipër të përballojë më shumë se një sfidë, qoftë ajo politike, ekonomike dhe shoqërore.
Por a po ndjek Berisha të njëjtën linjë me atë të Obamës, mund të pyesë dikush, qoftë dhe në mënyrë provokuese. Një pyetje e tillë të detyron të mendosh me kthjelltësi dhe të japësh një përgjigje sa më të saktë e pa ekuivoke, sepse të gjithë duhet ta kuptojmë dhe njëkohësisht të bëhemi të ndërgjegjshëm se pavarësisht individualitetit personal dhe partiak, politikanët pa dallim, ëndërrojnë dhe duan një jetë më të mirë, për shoqërinë dhe pa dyshim për vete. Raporti kërkesë-ofertë, prej shekujsh e ka udhëhequr botën përpara (si politikan i ardhur nga fusha e biznesit dua të sqaroj se frenimi i tanishëm i ekonomisë botërore kurrsesi nuk mund të quhet sprapsje, por shkarje relative nga binarët e normalitetit që karakterizon rritjen ekonomike).
Por të gjithë jemi dëshmitarë të borive që u fryn opozita për mosmarrjen e masave konkrete nga ana e qeverisë për të përballuar krizën, në vend që të bashkëpunonte me qeverinë për të gjetur rrugët më të lehta për ta anashkaluar apo kapërcyer atë, siç bën opozita amerikane. Të trishton fakti që të majtët po e shfrytëzojnë edhe këtë rast për kapital politik, në një kohë që një popull i tërë i ka vënë në punë të gjitha energjitë për të parandaluar situatat e vështira që mund të krijohen.
Le të kujtojmë daljen para gazetarëve të zotit Berisha në një ekran kombëtar. Përgjigjet, deklaratat dhe mendimet e tij ishin jo vetëm optimiste, por edhe bindëse. Këtë optimizëm do t’ua uronim edhe të majtëve. Përse?! Lexoni fjalimin e përurimit të Presidentit Obama, ku ai risjell në kujtesë atë ditë aq të largët të historisë së SHBA-ve, atëherë kur rrezikohej pavarësia e ëndërruar që do të sillte në këtë botë një shtet të fuqishëm dhe demokratik, që të bën të kuptosh pse zhvillimi i historisë botërore mori drejtimin që ka sot; ndodhi kështu për shkak të vullnetit të fortë dhe optimizmit njerëzor.
Qëndrimi profesionist dhe i kujdesshëm i qeverisë aktuale edhe në situatat që kanë lindur si pasojë e kësaj krize botërore, flasin qartë për atë politikë moderne dhe frytdhënëse, për ato praktika larg aferave korruptive, të cilat janë prova bindëse e një qeverisjeje që meriton ta vazhdojë më tej rrugën e vet në drejtimin e këtij vendi. Le t’i bëjmë një pyetje të sinqertë cilitdo qytetari shqiptar: Ku çalon dëshira e z. Berisha me dëshirën e politikanëve të tjerë shqiptarë (që synojnë t’ia zënë vendin në zgjedhjet e ardhshme)?! Njëherësh ky ndryshon politika e Berishës me “politikat” e opozitës? Në fund të fundit, ku ndryshon vetë Berisha nga aspirantët e tjerë për pushtet? Dhe pyetja e fundit: Si do ta vërtetonin kundërshtarët e Berishës se dikush tjetër është më i mirë se ai? Korrupsioni dhe lufta kundër tij, që Zoti Berisha e përdori me sukses për të ardhur në pushtet, nuk dëshmon se opozita e majtë ka ide të reja, madje dëshmon të kundërtën, me përjashtim të faktit tejet të njohur në historinë botërore, pikërisht atij fakti që e ardhmja do të jetë më e mirë se djeshmja, sepse një gjë e tillë nuk ta jep të drejtën që të akuzosh dhe fajësosh qeverinë dhe për një veprim të tillë politik meriton të marrësh votat e zgjedhësve. Kjo më kujton titullin e një romani nga realizmi socialist, “Kali i mbretit, kalorës të rinj”.
Sa për “shqetësimin” që shprehin përfaqësuesit e politikës “së re” të opozitës, kur thonë se boll më me Berishën, ka shembuj të shumtë që flasin për të kundërtën. Po sjellim vetëm njërin: I pakrahasueshëm për sa u përket rrethanave dhe kushteve gjeopolitike, por i pranueshëm si fakt: Kryeministri Li i Singaporit u rizgjodh me vota demokratike në krye të qeverisjes për 25 vjet rresht, sepse pati arritje të vazhdueshme në reformat që zhvilluan këtë vend.
Deputet i PD-së