E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, Wollfarth: Zbatoni një politikë më të ashpër dënimesh

TIRANË- OSBE dhe ILDKP kanë organizuar sot një takim me studentët e Juridikut, temë e të cilit ka qënë lufta ndaj korrupsionit. Kreu i OSBE-së Eugen Wollfarth është shprehur se problem për luftimin e korrupsionit mbetet “mungesa e transparencës e baza ligjore”. Sic tha ai “jo gjithmonë ligjet zbatohen”.

Kreu i Prezencës së OSBE-së theksoi më tej se një tjetër problem është imuniteti i zyrtarëve të lartë, prandaj këshilloi një “politikë më e ashpër dënimesh për korrupsionin”.

Ai kërkoi më tej angazhimin e medias dhe shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit, ndërsa kërkoi që “Në administratë të garantohet punësim i drejtë, administrata të jetë etike e profesionale”, shtoi Wollfarth.

Nga ana e tij Kreu i Inpektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë, Adriatik Llala u shpreh se institucioni që ai drejton është treguar i ashpër në ndëshkimin e zyrtarëve abuzues.

“ILDKP ka qenë aktiv me ndëshkimin e zyrtarëve abuzues në sistemin arsimor dhe sidomos atë universitar. Kemi zbatuar strategji me shoqërine civile dhe median, duhen disiplinuar raportet ndërmjet funksionit publik dhe interesit qytetar”, tha Llalla.

Ai këshilloi më tej studentët e juridikut që “janë gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm duhet të vendosin drejtësi në sistemin e drejtesisë”, përfundoi Llalla.

Wollfarth: Zgjidhni Avokatin e Popullit
Ambasadori i OSBE-së gjatë takimit me studentët e Juridikut komentoi edhe situatën politike në Shqipëri. Bojkoti i opozitës, sipas tij i ka kushtuar Shqipërisë dy vite, ndërsa këshilloi palët politike të punojnë për reformën zgjedhore e për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, tani që jeta parlamentare i është kthyer normalitetit.

“Situata e pastabilizuar e 21 janarit tashmë ka kaluar, ne ofruam kontribut për përmirësimin e saj, mbështetëm opozitën dhe maxhorancën. Bojkoti i kushtoi Shqipërisë 2 vjet, por situate tani është normale e parlamenti po funksionon. Parlamenti duhet të votojë ligjet me 3/5, të punojë për reformën zgjedhore. Është me rëndësi edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit”, tha Wollfarth.

(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›