E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi në Rrëshen për 15-vjetorin e krijimit të Dioqezës

RRËSHEN - Presidenti i Republikës Bamir Topi ka vizituar sot qytetin e Rrëshenit, në 15-vjetorin e krijimit të Dioqezës. Në kryeqendrën e rrethit të Mirditës, kreu i shtetit e ka vënë theksin pikërisht tek traditat dhe vlerat e kësaj zone.

“Mirdita me historinë dhe njerëzit e saj është një binom unik qëndrese e madhështie. Që në agimin e historisë, ajo u identifikua me emrin që ka sot, duke ruajtur lirinë, besimin, doket, dinjitetin dhe kanunin e saj legjendar.”- deklaroi Presidenti Topi.

Presidenti ka dekoruar 3 personalitete që kanë dhënë kontribut të çmuar për Rrëshenin, duke i dhënë urdhrin “Nënë Tereza”, Imzot Kristoforo Palmierit me motivacionin: “Për kontributin e çmuar si misionar i fesë katolike në Dioqezën e Rrëshenit e më gjerë, veçanërisht me ndërtimin e një sërë kishave, si dhe me ndihmën e dhënë njerëzve në nevojë për strehim, arsimim dhe jetesë”; At Lino Nikolait, Urdhrin “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar që ka dhënë si misionar i fesë katolike, në përhapjen e vlerave humane të paqes e dashurisë njerëzore dhe për ndihmën në ndërtimin e një sërë kishave në Dioqezën e Rrëshenit”, si dhe familjarëve të Preng Pjetër Filopatit (Pas vdekjes), Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Mësuesit të nderuar që me përkushtim dhe sakrificë vuri gjithçka në shërbim të përhapjes dhe zhvillimit të arsimit në Mirditë e zonat përreth, duke e vlerësuar atë si një faktor themelor të vet progresit të vendit”.
(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Presidenti Topi në Rrëshen për 15-vjetorin e krijimit të Dioqezës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›