Korrupsioni, dënohet me 3 vjet burg ish-prokurori i Kavajës
Musa Mulkurti u filmua duke marrë 1000 euro, për lirimin e një të dënuari. Gjykata i dha të njëjtën masë dënimi edhe avokatit Pjetër Ndreca
Tiranë Gjykata e Tiranës shpalli fajtor për akuzën e korrupsionit, ish-prokurorin e Kavajës, Musa Mulkurtin, të cilin e dënoi me 3 vjet e gjysmë heqje lire. Të njëjtën masë dënimi, gjykata dha edhe për avokatin Pjetër Ndreca, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Vendimi është dhënë paraditen e djeshme nga gjyqtari Arben Micko, i cili pas rreth 2 vjet e gjysmë proces gjyqësor gjeti fajtor ish-prokurorin e regjistruar, duke marrë ryshfet nga babai i një prej të pandehurve, me qëllim uljen e masës së dënimit, që do të kërkonte pas disa ditësh në Gjykatën e Kavajës. Regjistrimi i kryer nga Zagoll Muça, babai i të pandehurit që hetohej nga prokurori Mulkurti, edhe pse i paautorizuar nga prokuroria, u pranua si provë nga gjykata. Mbi bazën e këtij regjistrimi, dëshmisë së Muçës dhe një sërë aktesh të tjera, të paraqitura nga prokuroria, gjykata gjeti fajtor Mulkurtin, i cili u hetua e gjykua në gjendje të lirë. Prova më e fortë që u vu në dispozicion të gjykatës ishte regjistrimi i kryer në zyrën e prokurorit nga Zagoll Muça, i cili ndër të tjera thotë se i ka dhënë 2500 euro, fakt ky që konfirmohet nga vetë prokurori. Po ashtu, ai pyet prokurorin edhe sa të tjera do për të kërkuar 6 muaj më pak dënim për djalin e tij të arrestuar bashkë me tre persona të tjerë për shpërndarje narkotikësh. Në radhën e provave të rëndësishme ka qenë edhe dëshmia e Muçës, i cili ka konfirmuar në prokurori e Gjykatë gjithë bisedën që ka zhvilluar me prokurorin Mulkurti në vitin 2008, për të ulur masën e dënimit që do të kërkonte vetë disa ditë më vonë për djalin e tij. Pranimi i filmimit si provë nga gjykata, sipas ekspertëve, mund të krijojë një precedent të rëndësishëm në këtë drejtim, pasi shumë prej rasteve të korrupsionit, denoncohen me filmime të paautorizuara nga prokurori, për shkak të emergjencës me të cilën kryhen. L.Bakillari