Policia riarreston Gjin Ndreun, pak pas lirimit nga gjykata
I akuzuari se kishte armë, gjatë demonstratës së 21 janarit, është arrestuar teksa po ikte në Shkodër. Akuzë e re për kundërshtim të forcave të policisë
Tiranë Vetëm pak orë pasi ishte liruar nga Gjykata e Tiranës, Gjin Ndreu, personi i akuzuar si i pajisur me armë gjatë protestës së Partisë Socialiste, është arrestuar sërish gjatë mbrëmjes së hënë nga efektivët e policisë. Burime zyrtare nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se 32-vjeçari Ndreu është arrestuar rreth orës 20:30, në afërsi të rrugës “Muhamet Gjollesha”, ku për shkak të detyrës, ka kundërshtuar me forcë dhe goditur punonjësit e policisë së rendit. Referuar të njëjtave burime mësohet se Ndreu, në momentin kur është ndaluar nga policia, ka qenë duke u larguar nga Tirana, në drejtim të Shkodrës. Efektivët e komisariatit numër 2 i kanë kërkuar të ushtrojnë kontroll në makinë, por Ndreu akuzohet se ka kundërshtuar dhe ka ofenduar efektivët e policisë. Menjëherë, këta të fundit kanë bërë shoqërimin e 32-vjeçarit për në ambientet e Komisariatit për veprën penale të “kundërshtimit me dhunë të efektivëve të policisë”. Ndërkohë, po gjatë ditës së hënë është arrestuar dhe një tjetër person, i cili ishte identifikuar si pjesëmarrës në protestë. Me anë të një njoftimi për shtyp, bëhet me dije se për Jetmir Prengën, 22 vjeç, lindur e banues në Shënkoll Lezhë, Prokuroria e Tiranës ka dërguar urdhrin e ndalimit të datës 24.01.2011, pasi më datë 21.01.2011, nga ora 14.00 -16.00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kundërshtuar e goditur me sende të forta për shkak të detyrës, punonjësit e policisë. Th.Samarxhiu