Shkëndija elektrike shkrumbon lokalin e ri
Tiranë Një lokal, i cili pritej të inaugurohej gjatë ditës së premte, është përfshirë tërësisht nga flakët gjatë pasdites së djeshme, duke u shkrumbuar plotësisht. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 18:00, pranë “Komunës së Parisit”, në krah të lulishtes që ndodhet në këtë zonë. Lokali në fjalë, i cili ishte ende në ndërtim, është përfshirë papritur nga flakët, duke u djegur plotësisht. Flakët dhe tymi të cilat dogjën lokalin, kanë rrezikuar seriozisht dhe disa banesa që ndodheshin në këtë pallat, shenjë e dukshme ishte dhe gjurmët e tymit të cilat kishin nxirë të gjithë fasadën e pallatit. Forcat e zjarrëfikseve mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku arritën të shuanin flakët që kishin përfshirë të gjithë ambientin e lokalit. Në bazë të hetimeve paraprake dhe të dëshmive të mbledhura nga personat që ishin prezent në momentin e rënies së zjarrit, dyshohet se shkaku i flakëve ka qenë një shkëndijë elektrike, e cila fillimisht ka rënë pranë kolltuqeve të lokalit dhe më pas është përhapur me shpejtësi në të gjitha ambientet e brendshme të lokalit.