Lufta ndaj cannabisit, kryepleqtë në pranga por mungojnë pronarët
Artan CENA
TIRANË - Lufta kundër mbjelljes së cannabis sattivës ka çuar në pranga një tjetër kryeplak fshati. Këtë herë arrestimi është bërë në Kolonjë. Por ndërsa arrestimet e kryepleqëve që nuk denoncojnë hapësirat e mbjella me drogë, pronarët dhe transportuesit e tyre zhduken duke mos u gjetur. Në shumë prej rasteve kur policia ka arritur të individualizojë hapësirat e cannabis sattivas, pronarët kanë mbetur të paidentifikuar. Brenda disa javësh, në pranga janë vënë disa kryepleqë, të ilët në të shumtën e rasteve janë lënë të lirë nga gjykata. Vetëm brenda muaji korrik, policia ka ndaluar katër kryepleqë nën akuzën e moskallëzimit. Por ndërsa vazhdojnë arrestimet e tyre, uniformat blu kanë mundur të ndalojnë disa persona që merren me transportimin e lëndëve narkotike apo shpërndarësve. Deri më tani, ende nuk është ndaluar një person si pronar i ndonjë parcele të mbjellë me cannabis sativa në pyjet e vendit.
Arrestimi në Kolonjë
Këtë herë ndalimet për kultivim të bimëve narkotike kanë kaluar në Kolonjë. Sipas një njoftimi të Policisë së Korçës mësohet se është ndaluar Kujtim Rushiti, kryeplaku i fshatit Mbreshtan i cili ka konsumuar veprat penale, "shpërdorim i detyrës", "moskallëzim krimi" dhe "kultivimit të bimëve narkotike". Së bashku me të janë ndaluar edhe Aqif Dodo banues në fshatin Mbreshtan, Komuna Novoselë e Rrethit Kolonje dhe Etem Beqo banues po në fshatin Mbreshtan. Sipas policisë së Korçës, ndalimi i tyre u bë pasi në vendin e quajtur "Lisa" në fshatin Mbreshtan janë gjetur dy parcela ku në to ishin mbjellë 559 rrënjë bimë të ngjashme me atë të lëndës narkotike canabis sattiva. Ndaj të ndaluarve rëndon tashmë vepra penale e "kultivimit të bimeve narkotike". Gjithashtu është shpllur në kërkim edhe Ali Dedgjoni, pasi akuzohet për mbjellje të bimëve narkotike dhe po punohet për kapjen e tij. policia tha se, për këtë ngjarje u kryhen veprimet e para hetimore proceduriale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.
Arrestimi në Shkodër
Ndërkaq në Shkodër mbrëmjen e dy ditëve më parë në orën 21:30, në fshatin e Shpor, Komuna Guri i Zi, është bërë arrestimi i shtetasit Tish Pali, 44 vjeç, banues në po këtë zonë. Arrestimi i këtij personi, sipas policisë u bë si rezultat i një operacioni të organizuar në bashkëpunim dhe me Komisariatin e Policisë Shkodër, me qëllim luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Në lidhje me këtë arrestim, janë kryer të gjitha veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe materialet ne ngarkim të Tish Palir, i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të “kultivim të bimëve narkotike”.
Deklarata e Berishës
“E vërteta është se arrestohen më shumë shoferë që transportojnë, sesa kultivues. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Edhe kultivuesit, edhe kryetarët e komunave, edhe kryeplaku, që të gjithë të vendosen para ligjit. Kërkesave të autoriteteve vendore për kontrolle duhet t’i përgjigjeni me përparësi”, tha dy ditë më parë kryeministri Sali Berisha.
Urdhëri i Burgajt
Urdhëri i drejtorit të Policisë së Shtetit hyni Burgaj gjatë takimeve që ka kryer në të gjithë drejtuesit e policitë e vendit për luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike po aplikohet më së miri, ku dy ditët e fundit, në Shkodër dhe Kolonjë janë ndaluar kryepleqtë por dhe dy inspektorë të policisë pyjore.
Kolonjë 31 Korrik
Policia e Kolonjës ka bërë të ditur se, ka vënë në pranga kryetarin e fshatit Mbreshtan nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzim krimi. Kujtim Rushiti u arrestua pasi nuk tregoi për mbjelljen e 559 rrënjë kanabis sativa në vendin e quajtur “Lisa”.
Shkodër 30 korrik 2010
Policia e qytetit të Shkodrës ka arrestuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme një kryeplak dhe dy inspektorë të policisë pyjore. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave tre personat akuzohen për mos kallëzim të krimit. Sipas burimeve, arrestimet u kryen pasi ata kishin mbajtur të fshehtë një parcelë me rreth 1550 rrënjë narkotike të tipit kanabis sativa.
Tepelenë 8 korrik 2010
Kryeplaku i një fshati në Tepelenë u arrestua dhe më pas u la i lirë nga gjykata për akuzën e moskallëzimit të krimit të kultivimit të bimëve narkotike kanabis sativa. Lajmi i ndalimit të tij u bë i ditur nga policia, e cila tha se Artur Malo, 36 vjeç, lindur e banues në fshatin Peshtan të Tepelenës, është vënë nën hetim për akuzën e “moskallëzimit të krimit lidhur me kultivimin e bimëve narkotike”.
Pukë 6 korrik 2010
Policia e Pukës ndaloi në fillim të muajit kryeplakun e komunës Qarret, Pren Vukaj, i akuzuar për “moskallëzim të mbjelljes së kanabisit” në fshatin e tij. Lajmi bëhet i ditur nga policia lokale, sipas së cilës në fshatin Qarret është kultivuar kanabis. Sipas tyre, gjatë kontrollit në këtë komunë janë zbuluar gjashtë parcela të mbjella me kanabis.
Në pranga 24-vjeçari lazaratas për trafik makinash
GJIROKASTËR - Një 24-vjeçar nga fshati Lazarat, disa km larg Gjirokastrës u ndalua nga policia lokale sot me akuzen për trafikim të mjeteve motorrike. Në vijim të operacionit të koduar “Makina Luksoze”, të nisur ditë më parë ku u sekuestruan 3 automjete luksoze, një tjetër automjet i vjedhur është sekuestruar nga forcat e policisë në Lazarat të Gjirokastrës. Lajmi konfirmohet nga policia, duke saktësuar se, në vendin e quajtur Kordhocë, ato kanë bërë të mundur bllokimin e mjetit tip “Audi A8”, me targa CD 674 RJ, si dhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit, 24-vjeçarit Rezar Skënduli, banues në Lazarat, për veprime të mëtejshme. Nga kontrolli i dokumentacionit si dhe pas ekspertimit teknik të numrit të shasisë të bërë nga ekspertët, ka rezultuar se ai kishte ndërhyrje në numrin e shasisë, se i mungonte pllaka identifikuese si dhe parregullsi të tjera. Nga ana e policisë, menjëherë është bërë arrestimi i drejtuesit të automjetit, si edhe sekuestrimi i automjetit së bashku me dokumentacionin që dispononte. Ndërsa materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “Trafikim të mjeteve motorike”, vepër kjo e parashikuar nga neni 141/a, i Kodit Penal.
Kërkohej nga policia zviceriane, ndalohet në Durrës
DURRËS - Një shtetas kosovar, i akuzuar nga policia zviceriane për vjedhje me dhunë u arrestua sot në Portin e Durrësit. Autoritetet policore portuale vunë në pranga ditën e djeshme shtetasin Sahit Morina, 30 vjeç pasi akuzohet se ka grabitur me dhunë sende dhe para në shtetin e Zvicrës. 30-vjeçari sipas policisë, rezultonte prej kohësh i kërkuar nga autoritetet zviceriane të kigjit për veprën penale të “vjedhes”. Arrestimi i të kërkuarit kosovar është bërë sapo ai kishte mbërritur në Portin e Durrësit me tragetet që vinin nga Italia. Policia e qytetit bregdetar tha se, ndaj Morinas kanë nisur procedimet penale për veprën penale, atë të vjedhjes me dhunë.
Vetëvaret i sapo liruari nga burgu
KUKËS - Një 34-vjeçar nga Kukësi është vetëvarur në shtëpinë e tij në fshatin Shtiqën. Nesret Basha është gjetur i pajetë në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, të cilat konfirmojnë ngjarjen, thonë se 34-vjeçari, i martuar pa fëmijë, mund të jetë vetëvarur për shkak të problemeve mendore, që kishte shfaqur kohët e fundit. Viktima sipas policisë ka qënë një person me precedente penalë. Ai ishte dënuar me 8 vjet heqje lirie dhe kishte pak ditë, që kishte dalë nga burgu.
2 Gusht 2010