E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni me tenderat EULEX bastisje ne M.e Brendshme

Dy zyrtarë të Policisë, një i Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe tre persona të tjerë janë arrestuar nga EULEX-i nën akuzën e aferave korruptive lidhur me tenderat për blerjen e armëve dhe municioneve. Arrestimet erdhën pasi Policia e EULEX-it bastisi zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratën e Policisë së Kosovës në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për korrupsion dhe keqpërdorime në tendera.

“Keqpërdorimet e pohuara kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit në Policinë e Kosovës dhe bizneseve që e furnizojnë policinë me armë dhe municione. Për shkak të këtyre keqpërdorimeve të pohuara, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me shuma që mund të arrijnë deri në miliona euro, gjë që e ka bërë Policinë e Kosovës viktimën kryesore të kësaj afere” , ka njoftuar EULEX përmes një komunikate.

Misioni Evropian ka njoftuar për bastisje që ka kryer edhe në dymbëdhjetë vende të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë shtëpi private, biznese private dhe zyra publike. Poashtu, si pjesë e këtij hetimi, policia gjermane ka bastisur edhe një firmë biznesi dhe një shtëpi private në Gjermani.   

Kjo nuk është hera e parë që EULEX bastis ministritë e Qeverisë së Kosovës nën dyshimin për korrupsion dhe keqpërdorim të buxhetit. Para gati dy vitesh EULEX kreu kontrolle spektakolare edhe në Ministrinë e Trasportit, në kohën kur ministër ishte deputeti Fatmir Limaj, i cili para disa javësh është marrë në pyetje për këtë çështje nga prokurorët ndërkombëtarë.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›