Korrupsioni, ndryshon neni 10 i Kodit të Punës
TIRANË- Ministria e Drejtësisë imunizon të gjithë ata individë që do të kenë guximin për të denoncuar aferat korruptive që kryen në vendet e tyre të punës nga titullari apo persona të tjera. Duket se rezultatet jo të pritshme në luftën kundër korrupsionit ka detyruar ekzekutivin që të ndërmarrë nismën ligjore për ndryshimin e Kodit të Punës, duke sanksionuar në këtë mënyrë lehtësira dhe mbrojtje për të gjithë ata persona që do të denoncojnë një fenomen të tillë. Në këtë mënyrë për herë të parë në Kodin e Punës përfshihen paragrafe të veçanta që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit. Nëpërmjet një ndryshimi që i bëhet nenit 10 të Kodit të Punës përcaktohet se çdo masë ose sanksion administrativ i pajustifikuar, që është marrë ndaj punonjësve, të cilët kanë arsye të dyshojnë për korrupsion e që këtë dyshim ua paraqesin personave përgjegjës ose autoriteteve kompetente, shpallet i pavlefshëm pas ankimimit që bënë personi i prekur nga ky vendim. Gjithashtu me këtë nismë nëpërmjet Kodit të Punës do të bëhet e mundur që çdo person ndaj të cilit është marrë një mase administrative nga titullari i institucionit për shkak se ka denoncuar një aferë korruptive do të ketë mundësi që të ankimojë atë në Gjykatë, duke qenë njëkohësisht i favorizuar në raportimin e fakteve. Kjo pasi në pikën tre të nenit 10 të Kodit të Punës përcaktohet se raportimi i fakteve, që kanë lidhje me korrupsionin, nuk përbën shkelje të detyrimit të sekretit profesional.