Vdekja e Trebickës, del raporti i Mjekësisë Ligjore
TIRANË- Ekspertët e Mjekësisë Ligjore përfundimisht raportojnë pranë organeve të hetimit se Kosta Trebicka vdiq si pasojë e shembjes në kokë e gjoks, e ardhur kjo nga përplasja e makinës me të cilën po udhëtonte në drejtim të Korçës. Burimet zyrtare pranw Prokurorisë së Përgjithshme konfirmuan për “Shekullin” se tre akt-ekspertimet e fundit të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ia janë dorëzuar grupit hetimor.
“Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, me kërkesë të Prokurorisë së Korçës kanë kryer tre akt-ekspertimet e fundit në lidhje me analizat bio-kimike të kryera në trupin e biznesmenit Kosta Trebicka. Në përfundim të analizave të gjakut dhe lëngjeve të marr nga organizmi i brendshëm i viktimës, ka rezultuar se Kosta Trebicka, nuk ka qenë i helmuar, as i droguar dhe as i alkoolizuar”, - thuhet nga burimet pranë akuzës. Sipas tyre, në këtë përfundim kanë arritur ekspertët e Mjekësisë Ligjore të cilët kanë dorëzuar tashmë raportin përfundimtar të akt-ekspertimit toksikologjik.
Gjithashtu, ekspertët kanë përfunduar edhe akt-ekspertimin e gjendjes shëndetësore, të viktimës Trebicka, që sipas tyre rezulton se gjendja shëndetësore e dëshmitarit të aferave të municioneve ka qenë mirë dhe nuk ka qenë ky shkaku i aksidentit të ardhur me pasoje vdekjen e tij. Ndërkaq, edhe akt-ekspertimi i gjurmëve papilare të gishtave të gjetura në makinë dhe gjakut të gjetura brenda makinës, ka rezultuar se janë të viktimës dhe i njejtë me gjakun e viktimës.
Mësohet se ky grup i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, përveç nxjerrjes së këtyre konkluzioneve për shkakun vdekjes së Trebickës, në dosjen e autopsisë kanë administruar edhe fotografit e gjithë dëmtimeve të ekzaminuara, të cilat janë konstatuara gjatë kryerjes së analizave përfundimtare të kufomës.
Po nga burimet pranë akuzës, konfirmohet se tashmë kanë përfunduar gati të gjitha veprimet hetimore në lidhje me vdekjen e biznesmenit Trebicka, duke pritur kështu vetëm përfundimin e akt-ekspertimit auto-teknikë të makinës të përpiluar nga dy ekspertët shqiptarë dhe ai amerikanë, ky i fundit pas mbledhjes së provave dhe këqyrjes së makinës eshte larguar për në SHBA, nga ku, sipas akuzës, do të dërgoj raportin përfundimtar me anë të letër-porosisë.