E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: PS të distancohet nga politika e marrjes së pushtetit me dhunë

Reagon Lëvizja Socialiste për Integrim, pas deklaratave të fundit të Partisë Socialiste duke i kërkuar asaj të heq dorë nga gjuha kërcënuese dhe të futet në Kuvend. Me anë të një deklarate për shtyp, Luan Rama, Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun, pranë kësaj partie bën të ditur se sfidat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është sfidë vetëm e mazhorancës qeverisëse. “Ajo është sfidë për gjithë shoqërinë shqiptare,dhe padyshim, është në radhë të parë sfidë për klasën politike të vendit, pra edhe për opozitën. Në këtë kontekst, LSI e konsideron gjuhën kërcënuese dhe ultimative si shprehje të krizës dhe të frikës së lidershipit socialist për t’u ballafaquar me alternativa që i kontribuojnë të ardhmes evropiane të vendit” – deklaron Luan Rama. Më tej, ai vazhdoi, duke deklaruar se LSI e fton PS të distancohet nga gjuha destruktive dhe tonet kërcënuese për marrjen e pushtetit me dhunë, ç’ka nuk ka qenë në natyrën e saj dhe të zërë vendin që i takon në Kuvendin e Shqipërisë, si një opozitë civile dhe evropiane. “Përmes dialogut politik në Kuvend do të gjejmë së bashku zgjidhjen më të mirë të mundshme, dhe kështu do të kontribuojmë realisht edhe për liberalizimin e vizave dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptare në Bashkimin Evropian, por edhe për realizimin e të gjithë reformave të rëndësishme, në funksion të anëtarësimit të vendit në BE” – përfundoi deklaratën e tij, sekretar për Marrëdhëniet me Publikun i LSI-së, Luan Rama.

25 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›