Mediat e Shkupit: “Fatos Nano, plane biznesi në industrinë hoteliere në Maqedoni”
SHKUP – Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, duket se tani e tutje do t’i kushtohet biznesit, ndonëse ka një karrierë të gjatë, të mbushur me suksese dhe dështime në politikë. Një fakt të tillë e kanë bërë të ditur mediat e Shkupit, sipas të cilave, zoti Nano po planifikon të zhvillojë biznese në fushën e hotelerisë në vendin fqinj. Sipas citimeve mediatike, ish-kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri ka zhvilluar së fundi negociata të drejtpërdrejta në Maqedoni për blerjen e një hoteli në qendër të Shkupit. Siç thotë Televizioni ALSAT, pas largimit nga politika, Nano po zhvillon biseda intensive me një pjesë të pronarëve të deritashëm të hoteleve në Ohër, të cilët falimentuan për shkak të kredive të pashlyera ndaj bankave gjatë periudhës së krizës ekonomike. “Njerëzit e afërt me ish-kryeministrin shqiptar konfirmuan dje nga Ohri për Televizionin ALSAT se Nano, së shpejti, pas përfundimit të të gjitha procedurave të nevojshme, do të bëhet pronar i një hoteli që gjendet afër qendrës. Po ashtu, ai është i interesuar të bëhet edhe bashkëpronar i një hoteli tjetër”, - citojnë mediat në Maqedoni dhe në Kosovë. Sipas tyre, pronarët e hoteleve refuzuan të komentojnë publikisht, por nuk mohuan faktin se janë në negociata me Nanon, i cili tashmë është bërë pronar edhe i dy banesave në kompleksin elitar të banesave "Akua Blu", afër fshatit Peshtan. Doktori Sasho Vasilevski është mik i ish-kryeministrit Fatos Nano. Ai thotë se ish-kryeministri shqiptar e adhuron Ohrin. “Në kontaktet e mia me të, bëhet fjalë për një personalitet shumë karizmatik. E di se është i dashuruar me qytetin tonë dhe do të isha i lumtur që njerëz të tillë të investojnë në Ohër; ish-kryeministra dhe diplomatë, gjë e cila do të sjellë rritjen e pozicionit të qytetit tonë. Rreth blerjes së kapaciteteve të caktuara hoteliere nuk mund të pohoj, ndonëse edhe unë kam dëgjuar për këtë”, - tha Vasilevski. Ai e do Ohrin, e respekton traditën dhe konsideron se në Ohër ekzistojnë gjasa reale për investime në turizëm. Prania e tij e shpeshtë këtu në Ohër po tregon edhe interesimin e tij për të investuar këtu”, - ka deklaruar për mediat miku i ish-kryeministrit shqiptar. Mediat citojnë faktin se bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, Xhoana Nano, është pronare e biznesit familjar në Shqipëri, Greqi dhe në disa vende europiane, ndërsa familja Nano ka edhe një agjenci turistike, “Xhoi Travel”.
25 Janar 2010