E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, në pranga kancelari i gjykatës së Korçës

OPERACIONI/ Shkëlqim Kajmaku dhe shefi i personelit të burgut të Drenovës janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës


KORÇË- Kanë kërkuar një shumë prej 500 000 lekësh të reja për të bërë të mundur nxjerrjen sa më të shpejtë të një vendimi ekzekutimi për një çështje pronësie, por kanë përfunduar në pranga. Të arrestuarit janë pikërisht kancelari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, si dhe shefi i personelit të burgut të Drenovës.


Burimet nga policia shprehen se arrestimi i tyre u bë pas një hetimi të Drejtorisë kundër Krimit Financiar dhe Prokurorisë së Korçës. Arben Hoxha dhe Shkëlqim Kajmaku akuzohen për veprën penale të "korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim".


Arrestimi

Kancelari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, si dhe shefi i personelit të Burgut të Drenovës janë arrestuar gjatë një operacionit të koduar "Kancelari", pikërisht për shkak të personit kyç të saj. Sipas burimeve të policisë, në të është bërë e mundur prangosja e Arben Hoxhës, 51 vjeç, shef personeli, si dhe e Shkëlqim Kajmakut, 52 vjeç, po nga Korça, kancelar i gjykatës.


Mësohet se të dy këta zyrtarë i kanë kërkuar shtetasit Kristaq Kafexhiu shumën prej 500 000 lekësh të reja në këmbim të nxjerrjes më shpejt të një vendimi ekzekutimi të një çështjeje pronësie.


Shtetasi Arben Hoxha është kapur me shumën e porsamarrë nga shtetasi Kristaq Kafexhiu. Mësohet se qytetari 58-vjeçar Kafexhiu ka kërkuar ndihmën e drejtuesve të lartë të policisë së Korçës, por dhe SHISH-it pas kërkesës që i kishte ardhur nga dy të prangosurit për të paguar shumën e lartpërmendur. Pas kësaj është organizuar edhe operacioni për të cilin kanë pasur dijeni shumë pak vetë.


Akuzat


Hoxha dhe Kajmaku mësohet se akuzohen për veprën penale të "korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim". Burime të policisë së qytetit juglindor bëjnë të ditur se hetimet do të vazhdojnë, por nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera.


Rezulton se shtetasi Kafexhiu, 58 vjeç, kishte dhënë një shumë parash borxh përkundrejt disa pronave në këmbim të moskthimit të parave. Pas moskthimit të borxhit pritej edhe ekzekutimi i marrëveshjes së bërë mes Kafexhiut dhe borxhmarrësit. Lidhur me këtë kërkesë, 58-vjeçari i është drejtuar fillimisht Hoxhës, si i njohur i tij, i cili më pas e ka drejtuar tek Kajmaku, me detyrë kancelar i Gjykatës së Shkallës së Parë.


Mësohet se ky i fundit ka nxjerrë një vendim që pritej të jepej nga kjo gjykatë, në kundërshtim me ligjin. Në momentin e ndalimit të këtyre shtetasve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 500 000 lekë, vendimi i gjykatës, dhe dokumente që vërtetonin shkeljet ligjore të kancelarit të gjykatës


Rastet


Arrestimet për korrupsion në Korçë kanë qenë të shumta muajin e fundit. Katër policë të qarkullimit rrugor shkuan në burg pasi vendosnin gjoba të padrejta ndaj drejtuesve të mjeteve në aksin nacional Korçë-Pogradec. Gjithashtu një doganier në doganën e Kapshticës dhe një tregtar për një shmangie detyrimi doganor në një ngarkesë me fruta-perime janë vënë në pranga.


Ndërkaq, gjatë të dielës në burg kanë shkuar dhe dy zyrtarë të tjerë të administratës shtetërore njëri kancelar i gjykatës, kurse tjetri shefi i personelit në Burgun e Drenovës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›