Hetim për falsifikim "dëshmitarit" të procesit të Bares
Denoncimi në prokurorinë e Tiranës, nga avokatët e të akuzuarve, dyshojnë për pasaportën e tij
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit nis hetimet ndaj shtetasi Gramoz Selmani, i dyshuar për veprën penale të "falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave" dhe "kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror", vepra këto të konsumuara gjatë kohës që emri i tij ndodhej në listën e të kërkuarve.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, që saktësuan se përveç Selmanit po verifikohen edhe personat që mund ta kenë pajisur me pasaportë në kohën që ai ndodhej në listën e të kërkuarve ndërkombëtare. Kallëzimi penal ndaj Selmanit është kryer nga avokat Denion Bogdani që mbron të pandehurit Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi.
Sipas prokurorisë, mësohet se janë sekuestruar procesverbalet e seancës gjyqësore të datës 1 prill 2010 të mbajtur në Gjykatën për Krime të Rënda, kur dëshmitari Selmani ka pranuar para togave të zeza se ka ikur dhe ardhur nga Greqia në mënyrë klandestine si dhe nuk ka pranuar të flasë në lidhje me mënyrën e marrjes së pasaportës.
Ndërsa, në lidhje me pasaportën që personi nën hetim Selmani ka paraqitur në seancën gjyqësore të lëshuar me datë 22 shtator 2006, rezulton se është pasaporta e parë që ky shtetas ka pasur në jetën e tij, e pranuar edhe nga vetë ai në seancë gjyqësore. Por, kjo në kohën e lëshimit të kësaj pasaporte emri i tij ndodhej në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë, bazuar në masën e sigurisë "arrest me burg" dhënë nga Gjykata e Lushnjes me vendimin nr. 120 datë 18 nëntor 1999 për akuzën e gjashtë vrasjeve.
Pritet që institucioni i akuzës, të provojë mënyrën se si Selmani është pajisur me këtë pasaportë në kohën që ndodhej në kërkim. Ndërsa, pak ditë më parë, ka qenë dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj Aldo Bares, ku ka dëshmuar në lidhje me vrasjet e shtetasve Ramadan Shkurti (vëllai i Aldo Bares) dhe Bardhy Rabija e Genci Kashari, ndërsa u plagosen Aldo Bare dhe Enver Rabija sipas dëshmisë së Selmanit të kundërshtuar me forcë nga i pandehuri i akuzuar si kreu i "bandës" së Lushnjës.