Korrupsioni nuk luftohet me fjalime
Bëmë publik gjetjet e sondazhit të financuar nga USAID dhe të kryer nga institucioni IDRA në Shqipëri. Sondazhi paraqet perceptimin dhe përvojën e qytetarëve shqiptarë në lidhje me korrupsionin. Lajmet nuk janë të mira. Sipas sondazhit, 92% e qytetarëve shqiptarë mendojnë se korrupsioni është i përhapur gjithandej. Sondazhi nuk paraqet ndonjë përmirësim në lidhje me treguesit për ryshfetet, madje paraqet përkeqësim të tyre. Rreth 72% e atyre që u pyetën, kanë thënë se kanë paguar ryshfet në mjekësi, ndërsa rreth 60% nuk kanë besim në sistemin gjyqësor.
Korrupsioni ka ndikim mbi të gjithë aspektet e jetës në Shqipëri, ndikon në investimet e huaja, në zhvillimin ekonomik dhe në çdo fushë tjetër. Unë do t'ju flas pak se si korrupsioni ndikon mbi njerëzit e thjeshtë, duke lënë mënjanë shifrat. Në bisedimet e mia me shqiptarët, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë vendin, të gjithë kanë pasur nga një histori korrupsioni për të ndarë me mua. Pak prej tyre, më lejoni t'ua paraqes.
Një histori është se si fëmijët e klasës së parë, që janë duke mësuar abetaren, dëgjojnë kur mësuesit u thonë një ditë para 7 Marsit këto fjalë: Thojuni prindërve që nesër nuk dua lule! Mendoni çfarë lloj mësimi është ky për një fëmijë 7-vjeçar, çfarë modeli i paraqitet atij për jetën që ka përpara.
Shumë njerëz më kanë treguar që mjekët as nuk marrin mundimin të shqyrtojnë kartelat e pacientëve, apo nuk regjistrojnë asgjë për sëmundjen e tyre. Këta mjekë që nuk bëjnë pyetje për shëndetin e pacientit, bëjnë pyetje për të ardhurat e pacientit. Dhe në qoftë se përgjigjet i tregojnë mjekut se ai nuk ka shumë të ardhura, pacienti nuk merr asnjë shërbim.
Shumë njerëz më kanë treguar se sa të vështirë e kanë për të marrë një dokumentacion bazë, si p.sh., certifikatë apo patentë automjeti. Shumë prej tyre më kanë treguar se, ose do të detyrohen të presin me ditë të tëra në radhë t'i marrin këto dokumente, ose do të pranojnë të paguajnë ryshfet dhe në këto raste, shumë shpejt e gjejnë veten në fillim të radhës.
Ka njerëz që thonë se policia i bie daulleve me krenari për arrestimin e ndonjë zyrtari të korruptuar, por me kalimin e muajve njerëzit mësojnë se, ose akuzat janë pakësuar, ose çështja është mbyllur dhe në fund, askush nuk dënohet.
***
Elementi kryesor në këtë histori nuk është fakti se korrupsioni ekziston, por si reagojmë ne ndaj këtij fenomeni. Një gjë që unë e gjej shqetësuese kur flas me miqtë e mi shqiptarë, është se pasi i pyes se çfarë duhet bërë, përgjigja është ose ngritje supesh, ose përgjigje si: "Zoti Ambasador, nuk jemi në Amerikë, këtu jemi në Shqipëri…!".
Unë nuk e pranoj këtë. Shqiptarët e vlerësojnë ndershmërinë më shumë se popujt e tjerë që unë njoh. Shqiptarët e urrejnë korrupsionin dhe trishtohen kur një grup i vogël prish të tërë sistemin. Unë nuk e pranoj që korrupsioni është pasojë e kulturës shqiptare, pasi nuk është kështu. Sipas kulturës shqiptare, ndershmëria dhe integriteti zënë vendin e parë në listën e vlerave. Për shqiptarët, një fjalë e dhënë, është një fjalë që mbahet.
Vij tani te pjesa se çfarë duhet bërë: E para, kur flitet për luftën kundër korrupsionit, duhet patur parasysh përgjegjësia e nivelit të lartë. Elita politike duhet të marrë flamurin e luftës faktike kundër korrupsionit dhe jo nëpërmjet fjalimeve. Kjo do të thotë se udhëheqësit politikë, duhet të ekspozojnë dhe të dënojnë akte të korrupsionit edhe kur këto kryhen nga kolegët e tyre.
Nuk duhet të përdorin ndikimin e tyre, për të ndihmuar miqtë apo të afërmit dhe as të përdorin fuqinë e tyre për të ndryshuar një vendim gjyqësor. Elita politike duhet të tregojë shembullin e saj.
Një mënyrë se si elita ta japë shembullin është duke ndryshuar Ligjin mbi Imunitetin, duke treguar se çdo politikan mban përgjegjësi para gjykatës, si çdo qytetar i thjeshtë. Askush nuk duhet të ketë imunitet, për t'u ndjekur dhe për t'u proceduar nga sistemi i drejtësisë për akte që janë në kundërshtim me ligjin.
Elita politike duhet t'i fuqizojë institucionet shqiptare që kërkojnë të bëjnë drejtësinë. Duhet të fuqizojë prokurorët që vihen në ndjekje të kriminelëve. Cilido që është i dyshuar do të mbajë përgjegjësi si çdo qytetar tjetër, pavarësisht nga pasuria, apo lidhjet politike që ai ka.
Më lejoni të them një shembull, për të ilustruar atë që thashë.
Ishte një kënaqësi, që Raporti Vjetor për të Drejtat e Njeriut në vitin 2007 nuk përfshinte asnjë rast dhune kundër gazetarëve. Megjithatë një ditë para se ky raport vjetor të bëhej publik, një anëtar i Parlamentit, Tom Doshi, goditi dhe rrahu një gazetar, pasi i bëri një pyetje që nuk i pëlqeu atij. Me këtë rast të dhunës ndaj gazetarëve, në Raportin e ardhshëm për të Drejtat e Njeriut, Shqipëria nuk mund të marrë një notë kaluese.
Është premtuar një hetim i këtij incidenti, por nuk kam dëgjuar asgjë tjetër lidhur me këtë çështje.
***
Tema e dytë, që do të doja të diskutoja, është ajo që e quaj përgjegjësi publike. Ku janë qytetarët që ndjekin rastet që denoncojnë dhe bëjnë publike rastet e korrupsionit? Secili njeri duhet të bëjë punën e vet në luftën kundër korrupsionit. Në qoftë se nuk ndodh asgjë ndaj mjekut që merr ryshfet, rezultati është që emri i të gjithë mjekëve që shpëtojnë çdo ditë jetë njerëzish, do të njolloset.
Po kështu, njolloset emri i të gjithë gjyqtarëve nëse nuk merret asnjë masë ndaj një gjyqtari që ka në pronësi një "Touareg" 30 mijë euro. Dhe nëse nuk i ndodh asgjë atij oficeri të policisë që njofton kriminelin para një operacioni, atëherë sistemi i policisë është i njollosur dhe i dobësuar. Po kështu ndodh edhe me Administratën Publike, kur një prej tyre, një ditë të bukur gdhihet i pasur. Nuk besoj në përgjigjen se nuk mund t'i bësh asgjë korrupsionit.
Mua nuk mund të më bindë askush, që ata që quhen të fortë në këtë vend, janë më të fortë se mijëra prindër që duan një arsim më të mirë për fëmijët e tyre, apo se gjithë të rinjtë që kanë zgjedhur të jetojnë jetën e tyre këtu. Nëse secili denoncon, atëherë korrupsioni do të reduktohet.
Dëgjova historinë e një drejtori spitali në veri të Shqipërisë, të cilit iu tha se vartësit e tij, infermierët u kërkonin para njerëzve edhe për t'u treguar zyrat e mjekut. Drejtoresha vendosi shenja drejtuese për zyrat e të gjithë mjekëve dhe ky fenomen u reduktua.
Dëgjova edhe për një agjenci të caktuar e cila ka përgjegjësi të lëshojë dokumente që e zgjidhi çështjen e radhëve duke vendosur një sistem takimesh. Çdo qytetar paraqitej në një orë të caktuar, merrte dokumentin dhe largohej pa paguar ndonjë ryshfet.
Më lejoni të përmend shprehjen e një shqiptari të mirënjohur At Anton Harapi para ekzekutimit, në 1947. Ai tha: "A e dini se themelet e ndërtesës janë nën dhe. Edhe nëse jemi të vdekur, ne duhet të jemi themelet e asaj ndërtese që e quajmë Shqipëri".
Zonja dhe zotërinj, korrupsioni nuk është lojë, por një luftë. Këto fjalë që i thashë këtu, i thashë sepse e di që kjo luftë mund të fitohet dhe Shqiptarët do ta bëjnë këtë.
*Ambasadori i SHBA në Tiranë. Artikulli është pjesë nga fjala e tij dje, gjatë prezantimit të rezultateve të sondazhit mbi korrupsionin nga IDRA. Titulli është i redaksisë