Gërdeci dhe sondazhi për korrupsionin
Rreth dy muaj më parë, Shqipëria ishte kryelajmi botëror. Mesditën e 15 marsit 2008, mekanizmi i korrupsionit që ka ngërthyer në çdo qelizë jetët e shqiptarëve, shpërtheu në një punishte municionesh në Gërdec të Vorës. Ky fshat do të jetë teknikisht i pabanueshëm për rreth tre vite, sepse toka aty është e ndotur me helme të gjithfarëllojshme, por efekti shkatërrues i Gërdecit, zbuloi plagën që po majiset përditë në shoqërinë shqiptare: Ky vend është i fëlliqur me korrupsion.
Opinioni publik, në Shqipëri dhe jashtë saj, kur bëri vlerësimin për tragjedinë e 15 marsit, bëri edhe një krahasim me tragjedinë e 9 janarit 2004, kur rreth 21 shtetas shqiptarë humbën jetën në Karaburun, ndërsa tentonin të arrinin në Itali, ku shpresonin të gjenin një jetë më të denjë, ose thënë shkurt, mbijetesën. Ata që e bënë lidhjen, kishin parasysh reagimin e qeverisë në të dy situatat. Kur ndodhi tragjedia në Karaburun, Kryeministri i vendit ishte me pushime jashtë dhe nuk u kthye për t'u bërë nderimet e fundit, atyre që në optikën e qeverisë ishin emigrantë klandestinë, që humbën jetët në një tentativë të paligjshme dhe të dënueshme nga ligji. Kur ndodhi tragjedia në Gërdec, 26 jetë njerëzore u shkrinë, mbi 300 u plagosën dhe u gjymtuan, mijëra shtëpi dhe biznese u shkatërruan. Ishin viktima nga shpërthimi i biznesit kriminal që ishte ngulur aty me aprovimin e qeverisë shqiptare, ministrive të saj, drejtorive dhe inspektorateve që ajo ka nën varësi. Kryeministri i vendit bëri të pamundurën për ta varrosur këtë krim qeveritar, si një aksident teknologjik, si një vepër e të huajve që nuk donin që Shqipëria të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, si një lajm i kobshëm që kish ngazëllyer mediat, të cilat i cilësonte mercenare.
Ajo që ka mbetur pas rreth dy muajsh në mendjet e shqiptarëve është implikimi direkt i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, në këtë ngjarje të pashembullt, për një vend ku pretendohet se po ndërtohet demokracia dhe ligji është i barabartë për të gjithë.
Opinioni publik është i qartë dhe e ka dhënë verdiktin. Në një sondazh të organizuar nga faqja në internet e gazetës "Shekulli", me pyetjen "A duhet t'i nënshtrohet edhe Kryeministri hetimit penal për Gërdecin?", përgjigjet janë lehtësisht të lexueshme dhe të verifikueshme: "Po"-ja ka marrë 51për qind, 3377 vota; "Jo"-ja 42 për qind, 2800 vota dhe "Nuk kam mendim" 7 për qind, 431 vota, në një total prej 6608 votash.
Ky votim bëhet këto ditë, kur qeveria Gërdecin e kujton vetëm si një faturë shumëmiliardëshe që duhet paguar dhe e ka fshirë nga kujtesa se këtë kosto kaq të rëndë morale, politike dhe ekonomike e krijoi vetë, me inkurajimin e paskrupullt të korrupsionit edhe atje ku nuk ta rrok mendja, të fitosh miliardat duke vrarë shtetasit e t'u, të legjitimosh bizneset kriminale në sipërmarrje ku bëhen shpejt e shpejt paratë, të cilat edhe mafiozët më të sprovuar nuk do të guxonin t'i ngrinin.
Opinioni publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka parë me trishtim se si këto dy muajt e fundit, një bandë vrasëse kusarësh me imunitet politik, jo vetëm po bën të pamundurën për ta groposur Gërdecin si krim i krijuar prej korrupsionit politik që ka ngërthyer qeverinë, por si asnjë qeveri në botë, nuk po shfaq as reflektimin dhe pendesën më të vogël për gjëmën që u ka bërë dhe po u bën shqiptarëve.
Ajo po e përdor imunitetin politik, për të rivrarë shtetasit e vet.
Sondazhi tjetër, i prezantuar dje në Tiranë, shkon të kërkojë rrënjët e qeverisë së kriminalizuar nga korrupsionit. Dhe lajmet janë shumë të këqija: Shqipëria është e përmbytur me Gërdecë, jemi më të korruptuar se dy vite më parë dhe aktorët e korrupsionit janë dora e Kryeministrit që zhvat qytetarët doganierët, mjekët, tagrambledhësit apo ministrat. Është një rrjetë e përsosur që stilizohet gjithnjë e më dendur mbi mbijetesën e shqiptarëve, të cilët kanë si zgjidhje të vetme, të paguajnë ryshfetet për administratën shtetërore, nga mësuesit e fillores te ministrat, të cilët po qelben nga korruptimi, duke parë kokën e qeverisë.
Lajmin e keq se jemi më të korruptuar se dy vite më parë, dje na e dhanë amerikanët e USAID-it. Taksapaguesit amerikanë prej vitesh po financojnë projektet për e-government, si në regjistrimin e bizneseve apo prokurimet publike, sepse aty i merret fryma fillimisht biznesit të ndershëm që kërkon të operojë në një ekonomi të lirë tregu. Por, për fat të keq, edhe amerikanët po bëhen dëshmitarët e farsave qeveritare, abuzimit dhe fshehjes pas emrit të madh të SHBA-ve, që shtrihen nga demontimi i municioneve në Gërdecin famëkeq, te tenderat e Ministrisë së Brendshme për prodhimin e ID-ve dhe pasaportave biometrike dhe së fundi, te tenderi i radhës: privatizimi i ARMO-s, ku pritet me ankth të shihet rezultantja e dyshimeve të deritanishme: devijimi i privatizimit strategjik në duar të panjohura që favorizohen nga qeveria.
Dhe, aktualisht, Shqipëria është një rast i pashpresë, sepse tutori i korrupsionit mbetet shefi i qeverisë. Ashtu siç e thoshte mbrëmë te "Shekulli" online një lexues, në komentin për fjalën e djeshme të Ambasadorit Amerikan, ku shprehej: "Korbi, korbit nuk ia nxjerr sytë".