Teorema e gjakimit për pushtet
ZGJEDHJET NË MAQEDONI
Për një kryetar partie, kulmi i aftësisë politike për të mbajtur në gjendje konstante subjektin që kryeson, është momenti kur duhet të shënohen me rreth ata të cilët do t'i hyjnë garës për të rrokur votën. Fjalën e kam për kandidaturat që do të përfaqësojnë subjektet politike aspirante për të qenë pjesë e qeverisjes së ardhshme në Maqedoni.
Sigurisht, që në momente të tilla, gjithkush ka aspirata për të qenë në Parlament, madje janë normale ambicie të këtij lloji. Por, kur procesi i përzgjedhjes banalizohet deri në përmasa skandali, atëherë shtrohet çështja imediate për të korrigjuar kursin politik. Jemi tek zgjedhjet shtatanike në Maqedoni: faza në të cilën jemi, ka të bëjë kryekëput me shoshitjen e emrave për kandidatë-deputetë.
Shikuar në rrafshin politik shqiptar, lidershipi i PDSH-së ia ka marrë dorën kësaj pune. Sipas të gjitha gjasave, edhe këtë radhë, ky subjekt politik do të ruajë të paprekur kohezionin e brendshëm. Më shumë se me pragmatizëm, kemi të bëjmë me pjekuri politike. Ka edhe diçka të tretë për t'u theksuar: lideri i PDSH-së ka futur në filozofinë partiake elementë që janë me efikase se gjestikulimet, populizmi patetik, apo mllefet dhe kanosjet.
Në këtë prizëm, Thaçi ka indoktrinuar PDSH-në me qasje dhe veprime racionale, duke përdorur sloganin: Mundësi të barabarta për të gjithë, por askush nuk është i paprekshëm. Kësisoj, PDSH ka arritur me finesë të bëjë alternimin e brezave brenda sistemit partiak, duke mbyllur çdo shteg për idhnakë dhe meskinë.
Në kampin opozitar, kemi një BDI, që ndodhet në momentet më të zymta të jetës së saj të shkurtër politike.
Duket si klub dëshirash dhe ambiciesh, ku gara për kandidatë deputetë nis me shamatë dhe përfundon me përleshje fizike. Mundohen ta mbulojnë diellin me shoshë, por fatkeqësisht, sjellja e papjekur politike, duket qartazi. Kacafytjet në mbledhjen e Kryesisë së BDI për selektimin e kandidatëve, janë një dëshmi e dhimbshme e faktit që ky grupim politik ka mbetur i njëjti: pa kauzë politike, ose më saktë, me të vetmen "kauzë: gjakimin harbut për pushtet.
Plasaritja e madhe e BDI (katër-pesë ditë më parë konflikti brenda saj, zuri ballinat e mjeteve të komunikimit publik) po i jep efektet shpejt. Zhgënjimi është tejet i madh, në radhë të parë për elektoratin. Me të drejtë, shtrohet pyetja: Pse po grushtohen "integristët"? Përgjigja është tek teorema e gjakimit (jo)politik për pushtet, që shfaqet e rishfaqet në këtë grupim, si në opozitë, ashtu dhe në pozitë, e që tashmë po kuptohet edhe nga vetë mbështetësit e saj.
BDI, në Maqedoni, në fakt po kalon nëpër atë kurs (jo)politik që kalon çdo grupim i cili anashkalon kauzat politike dhe kthehet në një stacion klanesh dhe bajraktarësh. Pazaret e dhunshme për një karrige deputeti, nuk janë vetëm konflikte mes të fortëve të mëhallave, por më së pari, provë e pamundësisë së BDI për të qenë aty ku realisht duhet të kishte vendin: në shërbim të interesave të shqiptarëve të Maqedonisë.
Ç'të mbjellësh, do të korrësh, thotë populli! Dhe të hysh në vallen e zgjedhjeve me fytyra të gjakosura nga (dhe për) karriget, nuk është ndonjë "mbjellje" e mirë.
*Autori është gazetar dhe pedagog në Universitetin Shtetëror të Tetovës