Gjobë ndërtuesve të rrugës Durrës Kukës, prokuroria e dërgon në gjykatë
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pas hetimeve pesë mujore mbylli dosjen dhe dërgoi çështjen në gjykim ndaj të pandehurit Nikolin Gjaci, për akuzën e "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë". Sipas kërkesës për gjykim të hetuar dhe përpiluar nga prokurori Eugen Beçi për pesë muaj, i pandehuri Gjaci do të gjykohet në gjendje të lirë edhe pse nga prokuroria është cilësuar si "gjobëvënës" i menaxherit të firmës "T&T", shtetasit me iniciale M.D. që operon në ndërtimin e rrugës Durrës - Morinë, konkretisht të lotit Rrepës – Thirr. Sipas prokurorisë pas analizimit të provave dhe akteve të grumbulluara gjatë fazës hetimore prej pesë muajsh është arritur në konkluzion që i pandehuri nga fshati Xhuxhë komuna Fanit në Mirditë, Nikolin Gjaci, ka kërcënuar menaxherin e firmës "T&T" me qëllim përfitimin nga ana e këtij të fundit të një sasie prej 400 mijë lekësh të reja. "Në muajin tetor 2007 i pandehuri Nikolin Gjaci me anë të telefonit i ka kërkuar menaxherit të firmës "T&T" takim në një lokal në superstradën Fushë-Krujë – Lezhë. Pasi janë takuar i pandehuri Gjaci i ka kërkuar kallëzuesit M.D. që t'i paguante disa fatura të firmës "Morina" me vlerë rreth 400 mijë lek. Fatura të cilat kjo firmë nuk i kishte shlyer ende, pasi i pandehuri i kishte dhënë lëndë drusore kundrejt kësaj shume"-thuhet në kërkesën për gjykim. Ku nënvizohet se menaxheri i firmës "T&T" nuk kishte pranuar t'i paguante pasi nuk kishte të bënte me këtë kompani ndërtimi dhe nuk punonte për ata. "Në lidhje me këtë problem, kallëzuesi ka kontaktuar me drejtuesit e firmës "Morina" dhe ata i kanë konfirmuar se me këto fatura a nuk kishte punë",-thuhet në kërkesën për gjykim. Por, i pandehuri edhe ishte vënë në dijeni nga menaxheri i firmës "T&T" për këtë fakt, ka vazhduar me kërcënimet të cilat janë faktuar sipas akuzës edhe gjatë hetimit, ku i pandehuri e kërcënonte kallëzuesin M.D. që nëse nuk i paguante faturat do t'i merrte makinën e tij personale. Gjithashtu, sipas kërkesës për gjykim i pandehuri Nikolin Gjaci ka kërcënuar edhe punëtorët e firmës "T&T" duke i penguar ata të punojnë normalisht në ndërtimin e këtij segmenti rrugor. "Gjatë fazës hetimore janë kryer një sërë veprimesh hetimore me anë të të cilave është vërtetuar së i dëmtuari M.D. nuk ka qenë pronar apo kontraktues direkt me të pandehurin Nikolin Gjaci përsa i përket furnizimeve që ky i fundit i binte me lëndë drusore firmës "Morina". Dhe në asnjë rast nuk është vërtetuar se kallëzuesi të ketë pasur marrëdhënie juridike apo kontraktuale për aktivitetin tregtar apo furnizimin me lëndë drusore me të pandehurin Nikolin Gjaci, duke rrëzuar kështu pretendimet e tij se menaxheri M.D. i kishte para borxh atij për lëndën drusore"-thuhet në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokurori Eugen beci që tashmë ndodhet në duart e Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë.