Rama: Berisha, mburoja politike e Sefgjinit
Kryetari i PS-së i ka kërkuar edhe njëherë kryeministrit Sali Berisha që të shkarkojë Sefgjinin
TIRANË- Partia Socialiste i kërkon edhe një herë kryeministrit Sali Berisha që të zbatojë vendimin e Gjykatës dhe të shkarkojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini. Kryetari i PS-së, Edi Rama në një dalje të posaçme për mediat, duke marrë shkas nga deklarata e një dite më parë e kryeministrit, e ka akuzuar atë se po mban në një funksion të lartë shtetëror një person i cili me vendim gjykate gjendet në arrest shtëpie. Rama e ka cilësuar kreun e ekzekutivit edhe si mburojë politike e Sefgjinit, pavarësisht akuzave që rëndojnë për të për rrëmbimin, dhunimin dhe vrasjen e biznesmenit Remzi Hoxha. "Jam thellësisht i shqetësuar për qëndrimin e pajustifikueshëm të Kryeministrit të Shqipërisë, i cili edhe pas vendimit të drejtësisë për sigurimin në arrest shtëpie të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, vazhdon të jetë mburoja e këtij personazhi, i cili është me siguri i pari njeri në historinë e botës që qëndron në një detyrë të lartë shtetërore duke qenë i arrestuar", - u shpreh kryesocialisti Edi Rama. Ai ka bërë të ditur se hezitimi i kryeministrit për të pushuar nga detyra Sefgjinin është në kundërshtim flagrant me etikën shtetërore e qeverisëse, si dhe hedh hije dyshimi mbi arsyet që ka Kryeministri i Shqipërisë për të ndërmarrë një akt të tillë. Përveçse antiligjore, Rama e ka konsideruar edhe të pamoralshme qëndrimin e kryeministrit ndaj kësaj çështje. Sipas tij, është i papranueshme për këdo dhe aq më shumë për kryeministrin që të mbajë në një detyrë kaq të lartë një person të akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasje dhe zhdukjen e trupit të një biznesmeni. "Kapja e kryetarit të qeverisë pas historisë së errët të mos dënimit në të shkuarën të këtij personazhi për të mos e shkarkuar atë sot edhe pasi gjykata ka dhënë masën e arrestit shtëpiak, a thua se zotërinë e inkriminuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka emëruar gjykata drejtor të tatimeve dhe mund të shkarkojë vetëm ajo, është në rastin më të mirë papërgjegjshmëri e plotë dhe në rastin më të keq abuzim i vetëdijshëm i Sali Berishës me mandatin kryeministror, për të ndikuar politikisht mbi procesin gjyqësor duke u bërë publikisht mburojë e një të arrestuari", - u shpreh Rama. Nisur nga këto argumente, kreu i PS-së i ka bërë thirrje kryeministrit që të kryejë sa më parë aktin e shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të tatimeve, si dhe të distancohet publikisht nga vrasja e biznesmenit Hoxha. "Kryeministri publikisht të inkurajojë zbardhjen deri në fund të kësaj enigme që rëndon në ndërgjegjen e shtetit shqiptar. Shqipëria që ka kapërcyer pragun e NATO-s dhe që po troket në portat e BE-së s'mund të pajtohet me një Shqipëri tribale që mban në krye të sistemit të tatimeve një të arrestuar për vrasje", - përfundoi Rama fjalën e tij.