E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Korrupsioni pengon investimet"

Nga Brukseli vazhdojnë të vijnë gjithnjë e më shumë zëra shqetësues drejtuar Shqipërisë, të cilat prekin një nga pikat më të dobëta: korrupsionin. Pas Komisionit Europian, që shprehu qëndrimin e tij në Progres-Raportin e tetorit, një tjetër institucion i Europës së Bashkuar ka prekur "thembrën e Akilit" për vendin tonë. Është pikërisht organizata që grumbullon industrialistët e 27 vendeve të Bashkimit Europian që thekson në mënyrë të qartë arsyen e mungesës së investimeve të huaja në vend. Korrupsioni dhe pasiguria e zhvillimeve politike dhe ligjore janë pengesat kryesore për investimet në Ballkanin Perëndimor, si për sipërmarrjet e BE-së ashtu edhe për ato vendase. Kështu bëhet e ditur në një studim të "Eurochambers", që është Shoqata e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Europiane, e cila është prezantuar para pak ditësh në Bruksel. "Është konfirmuar që potenciali i madh i Ballkanit Perëndimor, vendet e të cilit duhet të intensifikojnë bashkëpunimin për të luftuar mungesën e transparencës dhe pasigurinë e shtetit ligjor në lidhje me kontratat tregtare", ka deklaruar Dirk Vantyghem, drejtori i marrëdhënieve ndërkombëtare i "Eurochambers". Por cilat janë vendet që duhet të bëjnë hapa më të mëdha? "Normalisht ata shtete për të cilat reformat janë më të rëndësishme, siç janë Shqipëria dhe Mali i Zi", theksoi Vantyghem, sipas të cilit janë këto shtete që kanë përpara rrugën më të gjatë për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar shtetin e së drejtës. Industrialistët europianë theksuan se në çdo rast është e rëndësishme të stimulohen investimet në rajon, nëpërmjet vendeve ballkanike. Në studimin e saj "Eurochambers" thekson se pikërisht forcimi i shtetit do të rriste investimet, pasi, sipas saj, pengesa më shumë se praktike është psikologjike. Investitorët druhen të hedhin para në ato shtete për të cilat ka siguri më të vogël dhe zyrtarët janë më të korruptuar. Sipas "Eurochambers", liberalizimi i vizave për shtetet e Ballkanit do të jepte një ndikim shumë pozitiv. Është hera e dytë që Shqipëria dhe Mali i Zi përmenden si "delet e zeza" në Ballkan sa i përket korrupsionit. Pak kohë më parë, disa media europiane përmendnin se korrupsioni mund të ndikojë në rrugën e integrimit. Ka pasur edhe arsye të tjera. E përditshmja italiane online "La Voce", në një artikull të muajit të kaluar të firmosur nga gazetari Sergio Bagnoli, theksonte se Shqipëria, përpara se të hyjë në Europë duhet të zgjidhë problemet e lidhjeve të kriminalitetit me politikën, botën e biznesit dhe mafien lokale. Sipas së përditshmes, Brukseli ka dyshime për lidhjet e qeverisë së Kryeministrit, Sali Berisha me botën e nëndheshme të kriminalitetit. Artikulli theksoi se nuk ka asgjë në horizont për Shqipërinë, edhe pas deklaratave optimiste të Kryeministrit aktual të Tiranës, Sali Berisha. Shqipëria dhe Mali i Zi janë shtetet për të cilat Komisioni Europian po vepron me kujdes të tepruar. Lidhjet e shumta kriminale ndërmjet politikës, botës së biznesit dhe mafieve lokale karakterizojnë ende panoramën në vendet rreth Tiranës dhe Podgoricës. Në Mal të Zi, Kryeministri, sipas Drejtorisë së Antimafies së Barit, ka dorë në paratë e kriminalitetit të organizuar. Ndërkaq, agjencia "Reuters", në një analizë mbi integrimin e Ballkanit në BE theksonte se mundësia për Shqipërinë që të bëhet anëtar me të drejta të plota do të ishte viti 2020. Lodhja nga zgjerimi mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të thotë që do të duhet disa kohë përpara se një vend tjetër të bashkohet me bllokun e 27 vendeve. Në këtë përfundim arrin një sondazh i "Reuters". Kroacia mund të nënshkruajë anëtarësimin në vitin 2012, ndërsa do jetë viti 2016 ai kur Serbia dhe Maqedonia do të bashkohen me unionin, bazuar në një studim që ka përfshirë më shumë se 30 ekspertë të tregjeve në tranzicion, realizuar javën që shkoi. Mali i Zi mund të bashkohet në vitin 2015, por nuk do ketë anëtarësim përpara vitit 2020 për Shqipërinë, Bosnjën dhe Turqinë, edhe pse kjo datë mund të jetë optimiste për Turqinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›