E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit hedhin kimikate në shkollë

 

TIRANE - Një grup nxënësish të klasës së nëntë në shkollën "26 Nëntori" në Tiranë, kanë zgjedhur një mënyrë mjaft të çuditshme për të lënë mësimin ditën e hënë. Katër prej tyre kanë qenë ideatorë për të bojkotuar mësimin dhe si mënyrë kanë zgjedhur djegien e një lloj substance kimike, që edhe pas ekzaminimit ende nuk është zbuluar se çfarë përbërje ka, por dyshohet se mund të jetë plastelinë. Ngjarja është denoncuar nga drejtoresha e shkollës 9-vjeçare, e cila pasi ka zbuluar se kush ishin autorët e panikut që u përhap në shkollë, i kallëzoi ata në Komisariatin nr.2 të policisë. Sipas burimeve nga policia mësohet se autorët e djegies së substancave kimike janë nxënësit me iniciale, Xh.K. 15 vjeç, D.M. 14 vjeç, J.N. 14 vjeç dhe Xh.B. 14 vjeç. Pasi janë marrë në pyetje për disa orë në prani të psikologes dhe prindërve, fëmijët janë lënë për hetim në gjendje të lirë, për shkak të moshës së mitur. Sipas deklaratës që ka dhënë në polici drejtoresha e shkollës, mësohet se pasi ishin bërë dy orët e para mësim, klasat e katit të parë janë mbushur me tym që sillte një aromë të çuditshme dhe të pakëndshme, që askush nuk ishte në gjendje ta përcaktonte. Brenda pak minutash tymi dhe aroma e rëndë është përhapur në të gjithë shkollën dhe zhvillimi i mëtejshëm i mësimit ka qenë i pamundur. Kjo për faktin e aromës së rëndë, por edhe nga frika e helmimit nga një gaz i tillë i çliruar në ambientet e shkollës, që mund të ishte edhe helmues. Drejtoresha ka urdhëruar që të gjithë nxënësit dhe mësuesit të dilnin nga shkolla dhe mësimi është pezulluar. Ndërsa kanë nisur kontrollet duke u njoftuar edhe policia e Komisariatit nr.2, të cilët kanë shkuar menjëherë në rrugën "Irfan Tomini", ku ndodhet shkolla "26 Nëntori". Shumë shpejt është zbuluar se tymi vinte nga pjesa e pasme e shkollës, jashtë rrethimit, dhe ishte shumë pranë dritareve të klasave të katit të parë. Ekspertët e policisë kanë marrë disa kampione të lëndës që ishte djegur dhe i kanë dërguar në Laboratorin e Kriminalistikës për ekzaminim, në mënyrë që të përcaktohet lënda kimike dhe vendi se ku mund ta kenë marrë nxënësit atë lloj substance. Ndërkohë mësohet se nxënësit që janë shoqëruar në polici kanë treguar se as vetë nuk e dinin se çfarë ishte ajo lëndë, të cilën e kishin gjetur në rrugë dhe e kanë djegur thjeshtë për të shkaktuar tym, por nuk dinin se çfarë përbërje kishte. Ata do të hetohen në gjendje të lirë, për prishje të qetësisë publike.                               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›