Nuk priste puna Kuvendi ishte pushim keshtu qe e firmosa vete
Ish-ministri i Energjetikës, Genc Ruli, një nga zyrtarët më të akuzuar nga opozita për korrupsion, së fundmi i vënë nën akuzë për shkelje të ligjit kur ndryshoi duke anashkaluar Kuvendin, pranoi se ka marrë vendim pa marrë konkluzionet përfundimtare nga juristët nëse veprimi i tij ishte ligjor.
“Ministria e Ekonomisë është konsultuar në atë kohë me Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Shtetit për shtrirjen e investimeve edhe pas vitit 2009, nëse duhej apo jo që kjo të kishte miratim edhe të instancave më të larta, flasim për qeverinë apo për Parlamentin. Kjo ishte diçka që po studiohej dhe sigurisht vendimmarrja i përkiste kohës në të cilën ajo do të mund të realizohej”, është shprehur Ruli.
Ai justifikohet se kontrata që ndryshoi vazhdonte të ishte efektive edhe pa miratimin e Kuvendit, pasi, sipas tij, Parlamenti ishte i mbyllur.
“Në kuptimin që në muajin maj kemi ndërprerjen e Parlamentit për fillimin e zgjedhjeve dhe unë megjithëse s’jam informuar, ndaj mendimin që Ministria e Ekonomisë e ka konkluduar tashmë këtë qëndrim dhe sigurisht do të ndjekë procedurat përkatëse”, deklaroi Ruli, duke shtuar se ACR ishte në vështirësi financiare dhe se duhej marrë një vendim.
Deklaratën ish-ministri i Ekonomisë e ka bërë dje në një konferencë për shtyp, ku nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje nga gazetarët. Por zoti Ruli sikundër edhe një ditë më parë në Kuvend, godet median që vëren parregullsi ligjore tepër të dyshimta të kryera prej tij.
“Për sa u përket atyre që gatuan në të vërtetë këtë akuzë do t’ju thosha se është e drejtë që fuqia e medias që ata zotërojnë të përdoret në funksion të asaj që është roli i medias, zbulimi i të vërtetës dhe investigimi. Por përdorimi i fuqisë së medias për t’u hakmarrë ose për të shprehur mllefin ndaj personave që e kanë penguar këta pronarë në realizimin e interesave të tyre pasurore jo të ligjshme, është përkundrazi një abuzim dhe arbitraritet”, tha Ruli.
Zoti Ruli ka të drejtë. Mediat duhet të zbardhin dhe të jenë në shërbim të së vërtetës prandaj për hir të kësaj të vërtete pyesim sërish zotin Ruli se pse ndryshimi i koncesionit ishte emergjent dhe nuk u prit e para, siç e pranoi dhe vetë konsulta juridike dhe pse e quajti të vlefshme kontratën pa pritur hapjen e sesionit të ri parlamentar. Këto pyetje kanë mbetur ende pa përgjigje sikundër zoti Ruli ka bërë shpesh gjatë këtyre kohëve të fundit.