E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni i Gazetarëve dënon dhunën ndaj gazetarëve dhe reporterëve në detyrë

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi sot pas lëndimit të reporterëve dhe operatorëve, të cilët gjendeshin gjatë orëve të mesditës dhe pasdites para mjediseve të Ministrisë së Arsimit, për pasqyrimin e protestës së studentëve dhe qytetarëve.

Sipas UGSH-së, ata janë përballur jo vetëm me forcën shtytëse dhe momente brutaliteti, por kanë pësuar lëndime dhe dhimbje fizike.

“Janë katër denoncime të paraqitura pranë UGSH, prej të cilëve: dy reportere dhe dy operatorë televizionesh. Ata janë goditur në një rast me sende të forta dhe janë shtyrë në përballjen e turmës me forcat e policisë. Ndërsa një fotoreportere e një medieje online është  goditur në pjesën e kokës dhe ka pësuar lëndim. Pjesëtarë të tjerë të medieve janë përballur me vështirësi serioze frymëmarrjeje për shkak të përdorimit të mjeteve tymuese dhe spraj me piper”, thekson UGSH.

UGSH shprehet se reporterët në detyrë kanë shprehur reagime dhe ankesa pranë drejtuesve të trupës policore që gjendeshin gjatë protestës para ministrisë.

UGSH denoncon dhunën dhe kërkon nga autoritetet e Policisë së Shtetit të verifikojnë rastet dhe të venë para përgjegjësisë autorët e kësaj dhune mbi gazetarë dhe reporterë në detyrë.

“Kërkojmë nga Agjencia e Mbrojtjes Policore të hetohen rastet dhe të ndëshkohen autorët që ushtruan e rasteve”, thekson UGSH.

Gjithashtu UGSH dënon dhunën ndaj institucioneve dhe mbështet fuqimisht të drejtat e studentëve protestues.

UGSH apelon për respektim maksimal të lirisë për raportim dhe mbrojtje të integritetit fizik të punonjësve të mediave në mjedise dhe tubime të tilla qytetarësh e studentësh.

Sikundër, shprehet UGSH, shprehim solidaritetin maksimal me kolegët që nuk rreshtin së raportuari dhe këmbëngulin për pasqyrimin e të vërtetave reale në shoqërinë tonë plurale.

“U bëjmë thirrje autoriteteve institucionale dhe politike të garantojnë liritë themelore dhe funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracisë”, thekson UGSH.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›